Kryetari i bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu u bëri apel sot subjekteve, që nëse zënë hapësirën publike në mënyrë të paligjshme do t’iu sekuestrohen çadrat dhe shezlonët. Në një postim në rrjetet sociale, Ndreu tha se “kjo është një betejë me paligjshmërinë që do e fitojmë patjetër”.
Ndreu bëri të ditur se janë ngritur grupe pune ndërmjet institucioneve, të cilët ndodhen në terren për kontrollin e stacioneve të plazheve nën kontratë, kushtet e zbatimit të kontratës, sasinë e çadrave dhe shezlon1%ve që parashikon kontrata, si dhe shkeljet në zgjerimin e hapësirës jashtë zonës së miratuar.
Kryebashkiaku Ndreu u shpreh se “askush nuk është mbi ligjin nëse zonat publike zihen në mënyrë të paligjshme”. Prej fillimit të muajit maj, bashkia Lezhë, bazuar në hartën e stacioneve të plazheve ka kryer evidentimin e stacioneve të plazheve publike në territorin e saj.
Bashkia Lezhë shpreh angazhimin për të siguruar një sezon turistik të rregullt, të sigurt dhe të qasshëm për të gjithë qytetarët dhe vizitorët.





