Biblioteka Publike Durrës, në bashkëpunim me Universitetin “A. Moisiu”, organizoi përurimin e librit “Marrëdhëniet shqiptaro- amerikane: një historik gjithëpërfshirës” të autorit Ndriçim Kulla. Përurimi u zhvillua në sallën e konferencave të UAMD-së ( Kampusi Universitar Spitallë) në praninë e studentëve dhe pedagogëve të këtij universiteti. Autori u përshëndet nga rektorja e UAMD-së  Kseanela Sotirovski dhe drejtoresha e Bibliotekës Publike Mirela Ylli. Specialistja e bibliotekës Teuta Dhima moderoi takimin dhe një bisedë me autorin Ndriçim  Kulla. Për librin referuan: Prof. Doc. Ksenofon Krisafi, Prof. i filozofisë Gjergj Sinani, Doc. Lorenc Agalliu. Një përshëndetje të veçantë drejtuar autorit,  bëri historiani Matheu Aref.

Doc. Ksenofon Krisafi, e ka quajtur librin e Ndriçim Kullës: një histori e plotë dhe mirënjohje e pacënuar me SHBA. Ndërsa Prof. Gjergj Sinani dhe Doc. Lorenc Agalliu, një libër plot vlera dhe një historik i plotë që do t'i shërbejë lexuesit dhe sidomos studentëve të fakultetit juridik dhe shkencave politike.

Vetë autori, në parathënien e librit të cilin e ka nëntitulluar një historik gjithëpërfshirës, thekson : – Nuk ka libër të lehtë për t’u shkruar , por ky ka qenë një libër i vështirë për mua, që ta shkruaja. I vështirë , sepse  autorët që shkruajnë libra me temë të tillë në botë, e bëjnë këtë duke pasur një literaturë të bollshme për çështje që kanë të bëjnë me temën. Por në lidhje me marrëdhëniet shqiptaro-amerikane , librat që trajtojnë aspekte të tyre , numërohen me gishta dhe nuk i kanë si temën kryesore.

Ky libër nuk është mjaltë e sheqer, por ka edhe shumë vërejtje për amerikanët, si edhe për shqiptarët, në marrëdhëniet e dyanshme… Autori ka shkruar si shqiptar, kur është fjala për të shprehur mirënjohjne ndaj SHBA, por ka bërë përpjekje që të shkruajë i distancuar dhe pa emocione , kur është fjala për të analizuar marrëdhëniet shqiptaro- amerikane si studiues.

Libri është botuar nga shtëpia botuese "Plejad".

Por kush është Ndriçim Kulla?

Ndriçim Kulla ka lindur në fshatin Vergo të Delvinës.

Ka mbaruar shkollën e lartë në Universitetin e Tiranës, (dega gjuhë – letërsi shqipe) me vonesë, në vitin 1993, pasi i është refuzuar vazhdimisht e drejta e studimit për arsye politike nga ana e regjimit komunist. Për pasojë është detyruar të punojë mbi 8 vjet në minierën e Valiasit në Tiranë.

Ka ushtruar profesione të ndryshme si minator, mësues, gazetar, pedagog në Akademinë e Arteve dhe këshilltar për kulturën dhe arsimin i Presidentit të Shqipërisë Bujar Nishani.

Ka drejtuar për rreth 20 vjet me radhë shtëpitë botuese Phoenix dhe Plejad të njohura për botimet filozofike, albanologjike dhe sidomos botime të elitës së ndaluar shqiptare nga koha e komunizmit.

Si intelektual aktiv, gjithmonë është i pranishëm në opinionin publik me ide që botohen në shypin e ditës (kryesisht në gazetën Mapo dhe Panorama) duke lëvruar një gazetari të stilit iluminist 2 dhe kulturorologjik.

Ka botuar si autor libra të shumtë në gjini të ndryshme. Gjithashtu ka bashkëorganizuar me institucione të larta akademike dhe arsimore në Shqipëri konferenca shkencore mbarëkombëtare mbi trashëgiminë tonë mendore.

Është filluesi  i parë dhe vazhduesi këmbëngulës i kërkimit, përgatitjes për botim dhe rivlerësimit të literaturës së elitës së ndaluar shqiptare prej sistemit komunist, duke dhënë një kontribut të pazakontë.

Ka drejtuar mbi 15 vjet me radhë punën studimore dhe bibliografike për mbledhjen, strukturimin dhe botimin e librave të Mendimit Shqiptar si dhe vepra të shkrimtarëve të burgosur politikë, për të cilat ka bërë një punë të papërsëritshme kërkuese, përgatitëse, botuese dhe afirmuese.

Ka drejtuar punën akademike, kërkimore bibliografike, tekstologjike dhe botuese të të gjithë serisë prej 32 vëllimesh të veprës së albanologut dhe albanofilit me famë qartësisht ndërkombëtare At Giuseppe (Zef) Valentin-it, punë e denjë për një akademi, e botuar nga Shtëpia Botuese “Plejad”, e cila po vazhdon me vepra të tjera që pritet të botohen në të ardhmen. Ka redaktuar me dhjetëra e dhjetëra libra të suksesshëm me karakter filozofik, historik dhe albanologjik. Është dekoruar nga Presidenti Nishani me rastin e 100-Vjetorit të Pavarësisë me motivacionin: “Për kontribut të veçantë patriotik që ka dhënë në rivlerësimin e vlerave shqiptare të mendimit” ndërsa Presidenti Bamir Topi e ka dekoruar me titullin e lartë ”Mjeshtër i madh” me motivacionin: “Për kontribut të rëndësishëm në botimin e veprave të zgjedhura të elitës së mendimit shqiptar dhe botëror, si studiues dhe krijues me profil origjinal në editorinë dhe letrat shqipe”.