Kryeministri Edi Rama ka thirrur në Vlorë një mbledhje urgjente ministrin e Brendshëm Blendi Çuçi dhe drejtues të Policisë së Shtetit.
Kreu i qeverisë në një prononcim për mediat ka deklaruar se kjo mbledhje do të bëhet për të përshpejtuar ndryshimet në Polici të cilat priteshin në fund të verës.
Gjithashtu Rama tha se formalisht ka zgjedhur mandatin e deputetit në Durrës, por do të vazhdojë të jetë prezent në qytetin e Vlorës.
“Unë kam zgjedhur që të jem deputet i Durrësit, për t’i kushtuar një vëmendje të veçantë, por unë do të vazhdoj të jem në Vlorë, për të bërë dhe më shumë, sepse me Vlorën nuk më ka lidhur mandati i deputetit, dhe nuk më ndan ndarja e mandateve.
Është shumë e rëndësishme që ne të vazhdojmë punën në Vlorë, këtu kemi shumë sfida që kanë të bëjnë dhe me adminsitrimin e vogël, unë jam i shqetësuar për bashkitë që kanë detyrime ekstra, dhe kanë lidhje me industrinë e turizmit.
Unë kam thirrur Ministrinë e brendshme dhe drejtuesit e policisë, për të lancuar një fazë të re të ristrukturimit, dhe është koha që ta përshpejtojmë me disa javë”,- shprehet Rama.





