Ndryshime në qeveri! Kjo e hënë ka nisur me strukturim të kabinetit qeveritar. Kryeministri Edi Rama i ka besuar postin e zëvendëskryeministrit, Belinda Ballukut, duke shkarkuar nga kjo detyrë Arben Ahmetajn, i cili nuk do të mbajë as postin e ministrit për Shtetin për Rindërtimin. Ndërkohë Balluku do të mbajë sërish postin e ministres së Infrastrukturës dhe Energjetikës.

“Energjia si sfida më kolosale e kësaj periudhe dhe infrastruktura si sfidë e pandërprerë kombëtare, janë bërë sot edhe marrëdhënie intensive me qeveri e institucione ndërkombëtare. Koha që roli i zv/kryeministrit të fokusohet në këto fusha.”, sqaroi për këtë lëvizje Rama.

Ndryshimet kanë prekur edhe çështjen e integrimit në BE, ku është shkarkuar negociatori Zef Mazi dhe në vend të tij është emëruar Majlinda Dhuka. Kjo e fundit do të jetë dhe në krye të ministrit të Shtetit.

“Tani që prioriteti i Rindërtimit ia le vendin prioritetit të Negociatave me BE, ndërron profili i ministrit të Shtetit. Majlinda Dhuka,një profil i lartë teknik në vend të profilit të lartë diplomatik të ambasadorit Mazi, bëhet Kryenegociatore & Ministre Shteti pranë kryeministrit.”, njofton Rama.

Po ashtu, Rama ka falënderuar publikisht për kontributin Arben Ahmetajn.

foto galeri
foto galeri