Southamptoni, skuadër ku po spikat sulmuesi i Kombëtares Shqiptare, Armando Broja, tashmë në duart e një manjati serb.

Dragan Solak, president i “Sport Republic”, një firmë investimi në industrinë e sportit dhe argëtimit, ka blerë 80% të aksioneve që zotëronte biznesmeni kinez Gao Jisheng.

Gao e bleu Southamptonin në gusht 2017, ndërsa Katharina Liebherr, e cila trashëgoi klubin nga babai i saj i ndjerë, Markus, në 2010, kur klubi ishte në League One, mbajti 20% të aksioneve.

Shefi ekzekutiv i klubit të Southamptonit, Martin Semmens, deklaroi se janë afruar investitorë të përshtatshëm për objektivat e klubit.

“Është një moment kyç. Ne kemi planin tonë dhe kemi vendosur bashkëpunimin me “Sport Republic”, firma e duhur për ta çuar përpara projektin, pasi ka të njëjtat vlera dhe besime si ne.

Së pari dhe më kryesorja, ne po kërkonim njerëz të mirë dhe investitorë me përvojë dhe ne e gjetëm këtë.”

Ndërsa manjati serb, Solak, shtoi se “Southamptoni ka pikërisht cilësitë që ne kemi kërkuar në një organizatë të madhe sportive. Ka një staf të shkëlqyer drejtues, zhvillim të shkëlqyer të talenteve, ekipe të talentuara që luajnë futboll tërheqës…”