Tiranë, 3 shtator 2014 – Pensioni suplementar, pensioni social dhe derdhja e kontributeve shoqërore dhe shëndetësore kanë pësuar sërish ndryshime. Pas publikimit në fletoren zyrtare, sigurimi shoqëror suplementar mbron me të ardhura të gjithë ata persona që ushtrojnë funksione ose detyra të veçanta kushtetuese dhe personat me tituj shkencorë. Gjithashtu merr në mbrojtje punonjësit e shtetit, ushtarakët që shërbejnë në strukturat e Forcave të Armatosura, punonjësit e Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, punonjësit e Shërbimit për Ankesat dhe Çështjet e Brendshme. Kriteret që duhen për sigurim shoqëror suplementar të kategorive, të përfshira në listën e sipërpërmendur do përcaktohen me ligje të veçanta. Pension pleqërie kanë të drejtë të marrin personat e siguruar, që kanë plotësuar jo më pak se 15 vite sigurim shoqëror, kanë të drejtë për pension pleqërie, kur të arrijnë moshën e përcaktuar në nenin 92, ligj. Po kështu, marrin pension pleqërie edhe nënat, që kanë lindur 6 a më shumë fëmijë, të cilët janë rritur më shumë se 8 vjeç, kanë të drejtë të dalin në pension kur mbushin moshën 55 vjeç dhe kanë 30 vjet sigurim”.
Personat e siguruar kanë të drejtë për pension pleqërie të reduktuar, deri tre vjet para mbushjes së moshës së daljes në pension të përcaktuar në nenin 92, kur kanë plotësuar vitet e sigurimit sipas nenit të njëjtit nen. Gjithashtu kur nuk kryejnë veprimtari ekonomike si të punësuar, punëdhënës ose të vetëpunësuar. Pensioni i reduktuar është pjesë e pensionit të plotë dhe mbetet i reduktuar gjatë gjithë kohës së përfitimit. Ky pension llogaritet duke zbritur nga pensioni i plotë shumën që del nga shumëzimi i numrit të muajve të përfitimit të pensionit, para mbushjes së moshës së përcaktuar në nenin 92, me koeficientin mujor të reduktimit. Koeficienti i reduktimit të pensionit të plotë të pleqërisë, për personat që plotësojnë kushtet e parashikuara në paragrafin e parë, të këtij neni, është 0,6 për qind në muaj.”
Pensioni social
Për të gjithë ata të moshuar të cilët kanë mbushur moshën 70 vjeç dhe nuk plotësojnë kushtet për asnjë nga llojet e pensioneve të përcaktuara me ligj, do të kenë një pension social. Pensioni social është një përfitim që i jepet çdo shtetasi shqiptar, i cili ka mbushur moshën 70 vjeç, është me qëndrim të përhershëm në Shqipëri të paktën për pesë vitet e fundit, nuk plotëson kushtet për asnjë lloj pensioni nga skema e detyrueshme e sigurimeve shoqërore dhe nuk ka të ardhura ose të ardhurat, që përfiton nga çdo burim tjetër, janë më të ulëta se të ardhurat që jep pensioni social. Masa e pensionit social është e barabartë me të ardhurat minimale që sigurohen nga pensioni i pjesshëm i pleqërisë me 15 vite të siguruara me pagë minimale, i llogaritur në datën 31.12.2014. Masa e pensionit social për personat që kanë të ardhura nga burime të tjera do të jetë sa diferenca e pensionit social me të ardhurat e tjera që ka përfituesi.
Kushtet për lejen e lindjes edhe për baballarët
E ardhurat për barrëlindje i paguhet gruas së siguruar për barrën dhe lindjen e fëmijës, kur ajo ka 12 muaj periudhë sigurimi, për çdo rast përfitimi. Përjashtohet nga rregulli për periudhën e sigurimit rasti kur e drejta e pagesës për barrëlindjen e radhës ndodh brenda 24 muajve nga data e lindjes së fëmijës së mëparshëm. Periudha e përfitimit do të jetë 365 ditë kalendarike, duke përfshirë një minimum prej 35 ditësh para dhe 63 ditësh pas lindjes së fëmijës. Për gruan që do të ketë në barrë më shumë se një fëmijë, periudha e përfitimit do të jetë 390 ditë kalendarike, duke përfshirë një minimum prej 60 ditë para dhe 63 ditë pas lindjes së fëmijëve.
E ardhura për barrëlindje për gruan e siguruar është 80 për qind e mesatares ditore të bazës së vlerësuar neto të dymbëdhjetë muajve të fundit nga data e lindjes të së drejtës për pagesë për periudhën e paralindjes dhe për 150 ditë kalendarike pas lindjes. Ndërsa 50 për qind e mesatares ditore të bazës së vlerësuar neto të dymbëdhjetë muajve të fundit nga data e lindjes së të drejtës për pagesë për periudhën tjetër në vazhdim. E ardhura për barrëlindje për gratë e siguruara si të vetëpunësuara në bujqësi llogaritet për periudhën deri në barazimin e kontributeve që paguajnë të vetëpunësuarit në bujqësi me të vetëpunësuarit në aktivitete jobujqësore, e ardhura për barrëlindje caktohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Nëna, që birëson fëmijën e moshës deri në 1 vjeç dhe që ka qenë e siguruar jo më pak se 12 muaj, ka të drejtë për leje pas lindjes. Pas periudhës prej 63 ditësh pas lindjes, të drejtën e lejes për kujdes ndaj fëmijës e ka edhe babai ose birësuesi i siguruar, nëse këtë të drejtë nuk e ushtron apo nuk ka kushte për ta përfituar nëna.
/Shekulli/





