Mëngjesi i së hënës shënon rikthimin në gjimnaze të maturantëve pas ndërprerjes së mësimit që në datë 10 mars. Prej ditësh, stafet pedagogjike janë angazhuar maksimalisht për të informuar prindërit dhe maturantët, për të bërë gati të gjitha ambientet ku do të zhvillohen konsultimet, për të përgatitur programin mësimor dhe orarin e këtyre 3 javëve mësim deri në zhvillimin e provimeve të Maturës Shtetërore.
DurrësLajm ishte në gjimnazin “Leonik Tomeo” për të parë nga afër të gjitha përgatitjet e marra për të garantuar distancimin fizik të maturantëve në kohë pandemie. Ndryshimet vihen re sapo futesh në oborr, ku përtokë janë vendosur piketat sinjalizuese që tregojnë distancën që duhet të ruajnë maturantët njëri nga tjetri. Oraret dhe klasat respektive janë afishuar që në hyrje të shkollës, që ndryshe nga herët e tjera do të ketë tashmë dy dhe jo vetëm një. Edhe mësimi do të nisë në dy fasha të ndryshme orare, për të mos krijuar grumbullime maturantësh.
“Nga 307 maturantë kanë konfirmuar frekuentimin e shkollës 298 nxënës, pasi të tjerët e kanë të pamundur transportin. I gjithë stafi pedagogjik do të jetë në punë, pasi në klasa nuk do të ketë më shumë sesa 10-12 maturantë. Maturantët do të vijnë me maska, me doreza, ndërsa në çdo bankë do të ketë dezinfektantë. Mësimi do të nisë në dy fasha orare. Për fashën e parë maturantët do të vijnë në shkollë në 07.45 dhe mësimi do të nisë në orën 08.00, pasi t’i jetë matur temperatura me termometër digjital secilit adoleshent, ndërsa fasha e dytë nis në orën 08.40 dhe do të ndiqet e njëjta procedurë, por këtë herë maturantët do të hyjnë nga hyrja e emergjencës. Fasha e parë e orarit do të zhvillojë mësim në katin e tretë dhe të katërt, ndërsa fasha e dytë në katin e parë dhe të dytë ”,– thotë drejtori i gjimnazit “Leonik Tomeo”, Tomor Agalliu.
Procesi do të zhvillohet nën masa të forta sigurie, pasi maturantët nuk do të kenë mundësi të lëvizin nga kati në kat. Madje ata nuk do të marrin as çanta me vete, ndërsa dezinfektimi i tualeteve do të bëhet rregullisht nga sanitaret, duke garantuar kështu higjienë maksimale.
Ditën e hënë, rikthehen në bankat e shkollës rreth 2200 maturantë nga 2600 që janë në total në 33 shkollat e mesme publike dhe jo publike në të gjithë qarkun.
M.B.





