Kryeministri Edi Rama ka bërë disa ndryshime në strukturën e kabinetit të tij, duke shkarkuar dy zëvendësministre dhe duke emëruar disa të tjerë.

Sipas burimeve qeveritare, janë larguar nga detyra dy zv/ministret e Turizmit, Vilma Bello dhe Almira Xhembulla. Në vend të tyre, janë emëruar Ilva Gjuzi si zëvendësministre e Turizmit dhe Mjedisit, dhe Sofjan Jaupaj, i cili kishte më parë rolin e Drejtorit për Çështjet Ekonomike dhe Shërbimet Mbështetëse në Ministrinë e Turizmit.

Ndryshime janë regjistruar edhe në Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, ku Endrit Yzeiraj është shkarkuar nga pozita e zv.ministrit dhe emëruar si zëvendësministër për Evropën dhe Punët e Jashtme. Blerta Rama është emëruar në vend të tij për pozitat e zv/ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme është emëruar gjithashtu Silda Çepe (Anagnosti). Këto emërime vijnë pas ndryshimeve të mëparshme, ku Besar Kadija dhe Artemis Malon janë caktuar ambasadorë në Azerbajxhan dhe Kanada, përkatësisht.