Organizatat nënshkruese të Rrjetit SafeJournalists, partnerët e Mekanizmit të Reagimit të Shpejtë për Lirinë e Medias (MFRR), si dhe Reporterët pa Kufij (RSF), theksojnë sot se ndryshimet e fundit në Kodin Penal të Shqipërisë, ndonëse pozitive, duhet të forcohen për të siguruar dekriminalizimin e plotë të shpifjes.

Organizatat tona mirëpresin ndryshimet në Kodin Penal të Shqipërisë, të miratuara më 21 janar 2026 nga Komisioni Parlamentar për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, të cilat, nëse miratohen përfundimisht, do të përbënin hapa të rëndësishëm përpara në përmirësimin e klimës për lirinë e medias, sigurinë e gazetarëve dhe lirinë e shprehjes.

Këto ndryshime pasqyrojnë një vullnet të qartë politik për t’u larguar nga kriminalizimi i shpifjes si pjesë e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke pranuar se raportimi me interes publik i kryer në mirëbesim nuk duhet t’i nënshtrohet ndëshkimit penal. Po ashtu, mirëpresim në mënyrë të veçantë forcimin e mbrojtjes penale kundër dhunës dhe kërcënimeve serioze ndaj gazetarëve për shkak të ushtrimit të detyrës së tyre profesionale, veçanërisht përmes ndryshimeve në nenet 237 dhe 238 të Kodit Penal, të cilat adresojnë shqetësime të kahershme lidhur me sigurinë e gazetarëve dhe detyrimet pozitive të shtetit sipas së drejtës evropiane të të drejtave të njeriut.

Në të njëjtën kohë, standardet evropiane e bëjnë të qartë se qasjet e pjesshme ose të bazuara në status të dekriminalizimit të shpifjes nuk janë të mjaftueshme për të mbrojtur në mënyrë efektive lirinë e shprehjes. Për sa kohë që shpifja mbetet vepër penale, ajo prodhon efekte frikësuese (chilling effects) ndaj gazetarëve, aktorëve të shoqërisë civile, aktivistëve, sinjalizuesve (whistleblowers) dhe mbikëqyrësve apo rojëtarëve të tjerë të interesit publik. Për këtë arsye, dekriminalizimi i plotë i shpifjes dhe fyerjes mbetet i vetmi rezultat i pranueshëm, i domosdoshëm për të siguruar një përafrim të qëndrueshëm me standardet evropiane dhe për të mbrojtur shprehjen me interes publik në Shqipëri.

Në këtë kontekst, vërejmë se ndryshimet e miratuara rishtazi nuk e arrijnë ende këtë objektiv. Teksti aktual parashikon një përjashtim nga përgjegjësia penale të kufizuar, të bazuar në status,, i zbatueshëm vetëm për gazetarët e përshkruar si “të regjistruar dhe të njohur” dhe vetëm në lidhje me shpifjen, ndërkohë që fyerja mbetet vepër penale. Kjo qasje ngre shqetësime serioze në lidhje me sigurinë juridike, mbrojtjen e barabartë të lirisë së shprehjes dhe vazhdimin e efektit frikësues të së drejtës penale mbi debatin publik.

Në veçanti, kufizimi i mbrojtjes vetëm për një kategori të ngushtë profesionale rrezikon të përjashtojë folës të tjerë me interes publik, përfshirë organizatat e shoqërisë civile, aktivistët, studiuesit, sinjalizuesit dhe qytetarët, të cilët luajnë një rol thelbësor në diskursin demokratik. Për më tepër, referencat ndaj gazetarëve “të regjistruar dhe të njohur” janë problematike në një kontekst ku Shqipëria nuk ka një sistem formal të regjistrimit të gazetarëve dhe kur vendosja e mekanizmave të tillë do të ishin të papajtueshëm me standardet evropiane për lirinë dhe pavarësinë e medias.

Gjithashtu, mbajtja në fuqi e veprave penale paralele, si fyerja, minon efektivitetin e reformave të pjesshme, duke lejuar që shprehja kritike të ndiqet penalisht përmes dispozitave alternative dhe duke ruajtur presionin e së drejtës penale mbi fjalën e lirë.

Nisur nga sa më sipër, ne inkurajojmë autoritetet shqiptare të ndërtojnë mbi hapat pozitivë të ndërmarrë deri tani dhe të ndjekin dekriminalizimin e plotë të shpifjes dhe fyerjes, në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare, duke siguruar që mbrojtja e shprehjes të jetë e bazuar në funksionin e saj dhe në interesin publik dhe mirëbesimin, e jo në kritere profesionale ose statusore.

Një qasje e tillë do të konsolidonte përparimin e arritur deri më tani dhe do të siguronte që kuadri ligjor i Shqipërisë të mbrojë realisht lirinë e shprehjes si një shtyllë themelore të shoqërisë demokratike dhe të shtetit të së drejtës.

Ne riafirmojmë angazhimin tonë për të mbështetur institucionet shqiptare në përmirësimin e legjislacionit që lidhet me lirinë e medias dhe lirinë e shprehjes. Ne mbështesim deklaratën e përbashkët të organizatave të shoqërisë civile në Shqipëri dhe angazhimin e tyre të vazhdueshëm për përmirësimin e kuadrit ligjor për lirinë e shprehjes.

Nënshkruesit

Partnerët e Mekanizmit të Reagimit të Shpejtë për Lirinë e Medias (MFRR):

  •  European Centre for Press and Media Freedom (ECPMF)
  • Osservatorio Balcani Caucaso Transeuropa (OBCT)
  • European Federation of Journalists (EFJ)
  • ARTICLE 19 Europe
  • Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (International Press Institute – IPI)

Reporterët pa Kufij (RSF)

Rrjeti SafeJournalists:

  • Shoqata e Gazetarëve të Bosnjë dhe Hercegovinës
  • Asosacioni i Gazetarëve të Kosovës
  •  Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë
  •  Shoqata Kroate e Gazetarëve
  •  Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë
  •  Sindikata e Medias e Malit të Zi