Pas deklaratës së Presidentit Ilir Meta se ndryshimet në Kodin Zgjedhor i ka dërguar për opinion në Komisionin e Venecias, kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se nuk do të pritet opinioni i Komisionit.
Rama shkruan në Twitter se ky opinion është i mirëpritur, por dekretet e kreut të shtetit pranohen ose rrëzohen nga Parlamenti. Ndër të tjera, Rama akuzon Presidentin Meta si ekstremist që po vepron kundër qeverisë dhe Parlamentit.
“Mendimi i Venecias është gjithnjë i mirëseardhur, por për një ligj të votuar dhe të refuzuar nga Presidenti, procedura është e qartë: Refuzimi i Presidentit pranohet ose rrëzohet nga parlamenti! PARLAMENTI DO TË RISHPREHET PA HUMBUR ASNJË DITË!
Ky President i angazhuar si një ekstremist kundër Parlamentit dhe Qeverisë Shqiptare, s’merr dot peng askënd dhe asgjë përveç institucionit që fatkeqësisht ka marrë peng!Opinioni i Venezias mirësetëvijë kur të vijë, por koha për këto zgjedhje s’pret asnjë ditë jashtë procedurave.”, shkruan kreu i qeverisë.





