Deputetja e PD, Jorida Tabaku gjatë seancës së sotme në Kuvend, foli në lidhje me kodin e ri zgjedhor dhe votën e diasporës. 

Në fjalën e saj ajo nisi diskutimin që prej vitit 2009, ku kodi u ndryshua me lista të mbyllura për të shmangur kriminelët në parlament, por sipas saj ky qëllim nuk u arrit. 

“Sot nuk kemi një reformë zgjedhore, sot jemi duke miratuar dhe ka mbajtur shënim disa ndryshime të cilat na janë diktuar nga Gjykata Kushtetuese. Pra sot po miratojmë minimumin e mundshëm dhe në fakt ishte një mendim i mirë që të ndahej në dy faza reforma zgjedhore: ajo që kërkoi nga Gjykata Kushtetuese dhe ajo që duhej bërë. “ u shpreh më tej deputetja e PD, që analizoi faktin që asnjë nga rekomandimet e OSBE-ODIHR nuk janë trajtuar në këto ndryshime. 

Ajo u shpreh kritike edhe ndaj opozitës, duke u shprehur se “nuk punuam për një kod të ri zgjedhor në këto katër vite por humbëm duke miratuar ndryshime shpejt e shpejt”. 

“Po ne të gjithë zotit Gjiknuri kemi interesa politike këtu, që të gjithë. Po a ngrihemi dot ne secili mbi interesat tona politike e t’i ndryshojmë rregullat e lojës, edhe në qoftë se ato na prekin ne dëmin tonë? A është ngritë ndonjëherë ky parlament për t’i ndryshuar këto rregullaloje edhe kur na kanë prekur ne?”, tha ajo.