Deputeti socialist Ben Blushi i komentoi me simbolikën e tij letraro-politike ndryshimet në qeveri nga kryeministri Edi Rama. “Për këtë duhet të pyesni njeriun që e konsideron qeverinë dhe partinë si një lodër. Nëse i konsideron dhe ministrat e vet dhe politikat e veta si lodra që ndërrohen, pra ndërron një elefant me një qenush, apo ndërron një qen me lesh me një ketër, nuk e di. Unë dua të jem njeri serioz dhe të flas për politika. Ky është thelbi, të flasim për politika strategjike që mund të nxjerrin Shqipërinë nga ky depresion i madh shoqëror që po provon emigracion, papunësi, analfabetizëm, papunësi dhe zbrazje. Edhe këto ministra që janë nëse orientohen sic duhen, ata nëse i hipën në një makinë tjetër ecin më shpejt, por kjo makinë është shumë e ngathët,” – ka thene Blushi.

Ai është pyetur nga gazetarët në lidhje me komentin që kishte pas ndryshimeve në qeveri, ku është shkarkuar Shkëlqim Cani dhe në vend të tij, si ministër i financave, është emëruar Arben Ahmetaj.