Muaji shtator flitet se do të jetë muaji i ndryshimeve në qeverinë Rama, megjithatë këto ndryshime pritet të ndodhin pas përfundimit të zgjedhjeve në Dibër.

Newsbomb.al shkruan se Pandeli Majko flitet të zëvendësojë Saimir Tahirin në Ministrinë e Brendshme, për shkak edhe të akuzave të shpeshta që kjo ministri ka pasur nga opozita. Emërimi i Majkos is Ministër i Brendshëm do i hiqte atij mundësinë për të marrë presidencën, njëkohësisht edhe Ramës presionin që mund t’i bëhej brenda partisë për emrin e Majkos si president.

Sigurisht, as Tahiri nuk ka si të mbesë duarbosh ndaj pritet që juristi i PS-së të zëvendësojë Ylli Manjanin te Drejtësia. Në fund të fundit lënia e Tahirit duarbosh do të ishte sikur Rama të pranonte akuzat e PD-së kidhur me “ministrin e dështuar”.

Përsa i përket lëvizjeve të LSI-së, përveç Manjanit, pritet që nga posti i ministrit të largohet edhe Haxhinasto.

Petrit Vasili dhe Sokol Dervishi pritet të zëvendësojnë Ilir Beqajn dhe Mimi Kodhelin. Po ashtu, Newsbomb shkruan se përflitet edhe për një largim të mundshëm të Milva Ekonomit dhe kalimin e saj në drejtimin e LSI. Gjithsesi, mbetet për t’u parë nëse këto ndryshime do të ndodhin vërtetë apo jo.