Zgjatja e trafikndarëses pranë urës së Plepave në aksin e Unazës, prej rreth një muaji nuk i lejon më drejtuesit e mjeteve që të kthehen nga njëri krah i kësaj rruge në tjetrin, çka përbën mjaft problem për ta.
Ata detyrohen të përshkojnë rrugën dytësore që të nxjerr në rrethrrotullimin në fund të Plepave duke u përballur me trafikun e ditëve të nxehta të verës.
Më shqetësuese situata është për banorët e zonës të cilët thonë se për të kaluar në anën tjetër, duhet të bëjnë një rrugë më të gjatë, gjë të cilën do ta eleminonte krijimi i një rrethrrotullimi, aty ku dikur nuk ishte bërë ende zgjatimi i trafikndarëses sipas tyre.
Ata thonë se nuk janë të pakta rastet kur shoferët detyrohen të marrin rrugën për në Kavajë teksa duan të kthehen në anën tjetër të aksit të Unazës, pasi nuk janë në dijeni të ndryshimeve të ndodhura në këtë segment rrugor.
Unaza e Durrësit është mjaft e populluar gjatë periudhës së verës duke qenë se është "urë lidhëse" me jugun e vendit. Ndonëse nuk ka shumë vite që është rikonstruktuar, mungesa e sinjalistikës apo mbikalimeve kanë shkaktuar mjaft aksidente në këtë aks.
G.D.





