Ndryshimi i klimës duket se mund të ketë edhe një pasojë të paditur më parë, përpos motit ekstrem dhe rritjes së nivelit të detit.
Një studim i ri tregon se ky fenomen mund të ndikojë edhe në matjen e kohës globale. Matja e saktë e kohës sot bëhet me përdorimin e rreth 400 orëve atomike në mbarë botën, kujton VOA. E ashtuquajtura Koha Universale e Koordinuar, ose UTC, është një llogaritje komplekse e bërë nga Byroja Ndërkombëtare e Peshave dhe Masave dhe bëhet në përputhje me shpejtësinë e rrotullimit të tokës, që ka një prirje të ndryshojë. Kohëmatësit kanë shtuar nga një sekondë në sistemin e matjes së kohës 27 herë që nga viti 1972.
Por prej disa vitesh ka patur spekulime se mund të jetë e nevojshme edhe zbritja e një sekonde. Në një botë që mbështetet tek ora, këto ndryshime mund të shkaktojnë probleme.
“Në disa raste këto probleme kanë qenë të mëdha, të ngjashme me ato të uljes së avionëve, sepse kompjuterët pushuan së funksionari. Dhe ne nuk e dimë nëse ky problem do të përkeqësohej nëse zbresim një sekondë në sistemin aktual të matjes së kohës”, pohon Demetrios Matsakis, ish punonjës i Observatorit Detar të Shteteve të Bashkuara.
Por një studim i ri në revistën “Nature” thotë se ndryshimi i klimës mund të ketë shtyrë nevojën për kthimin mbrapa me një sekondë të orës globale. Sipas studiuesve, në Arktik është bërë më ngrohtë dhe kjo ka shkaktuar një shkrirje të madhe të akullit që rrjedh nëpër oqeanet në të gjithë botën. Ngrohja globale ka shkaktuar një ngadalësim në vetë ritmin e rrotullimit të tokës.
Ky ngadalësim krijon nevojën për kthimin mbrapa me një sekondë të orës globale mes viteve 2026 dhe 2029. Duke pasur parasysh problemet që mund të shkaktojë ndryshimi i orës me një sekondë, autoritetet globale të matjes së kohës votuan për shtyrjen e saj deri në vitin 2035.