Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazmend Bardhi ka reaguar në lidhje me paralajmërimin e kryeministrit Edi Rama për të ndryshuar Kodin e Procedurës Penale. përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Bardhi u shpreh se Rama po i vendos vetes mburojë kundër SPAK. Ai tha se ndryshimet bëhen kur drejtësia të trokasë në zyrën e tij.

Sipas tij, Rama do që funksioni i Kryeministrit të mos ndahet nga emri i tij, pavarësisht provave të drejtësisë kundër tij. Bardhi u shpreh se  Rama po mendon se procedura do ta shpëtojë nga vijat e kuqe. Por, sipas tij vijat e kuqe nuk zhduken me procedurë.

Reagimi i Gazment Bardhit:

Për herë të parë “e besoj” Edi Ramën!

E besoj kur thotë se ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale nuk kanë lidhje me Belinda Ballukun. Sepse ai sot ndryshon ligjin për t’i vendosur Kryeministrit një mburojë plus nga SPAK-u. Edi Rama po propozon që Kryeministri të mos pezullohet nga detyra, nëse drejtësia gjykon se ai, për shembull, po prish provat e një hetimi.

E besoj Edi Ramën, kur thotë se ka refuzuar tre herë dorëheqjen e Belinda Ballukut. Sepse qëllimi i tij nuk ka qenë kurrë të mbrojë Belindën, por veten e tij. Refuzimi i dorëheqjes nuk është më çështje luajaliteti. Është çështje precedenti. Ndryshimi i Kodit të Procedurës Penale në mes të një hetimi penal aktiv për Zëvendëskryeministren nuk bëhet vetëm për sot. Bëhet për ditën kur drejtësia mund të trokasë më lart se numri dy i qeverisë. Prandaj, e besoj Edi Ramën, sepse ai po përpiqet të vendosë një imunitet të ri politik për veten nga SPAK-u. E besoj, sepse qëllimi i tij është personal. Ai do që funksioni i Kryeministrit të mos ndahet nga emri i Edi Ramës, pavarësisht provave të drejtësisë kundër tij. (Dhe çështja McGonigal është ende në hetim. Çështja e qendrimit të qeverisë për incineratorët është ende në hetim).

E besoj Edi Ramën, kur thotë se fillimisht do të votohet për imunitetin e Belinda Ballukut dhe më pas do të ndryshohet Kodi. E besoj, sepse ai sërish po mendon për veten. Po mendon se procedura do ta shpëtojë nga vijat e kuqe. Por vijat e kuqe nuk zhduken me procedurë. As me hi syve shqiptarëve, BE-së dhe SHBA-së.