Presidenti i ri i Serbisë, Aleksandër Vuçic, ka rikthyer idenë e proklamuar më herët, atë të ridefinimit të prezencës së shtetit serb në Kosovë përmes krijimit të një ligji të posaçëm kushtetues.

Nga njohës të rrethanave politike kjo po shihet si tentativë e Serbisë për ta fuqizuar ndikimin e vet në strukturat që deri tani ishin paralele, e të cilat synon t’i transferojë në një asociacion të komunave, që pritet t’i shërbejë Beogradit.

Aleksandar Vuçiç, pas betimit si president i Serbisë, ka thënë se ka ardhur koha të bisedohet guximshëm për Kushtetutën e Serbisë dhe Kosovën. Një temë, sipas Vuçiçit, janë edhe ndryshimet kushtetuese. Në preambulën e kushtetutës së Serbisë, Kosova vazhdon të figurojë si pjesë e saj, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Të flasim për këtë. Unë dëshiroj të hap dialog shoqëror, që do të zgjasë tre muaj, gjashtë muaj. Për njërën dhe temën tjetër, edhe për Kushtetutën, edhe për raportin tonë ndaj Kosovës, por nëse doni edhe për raportin tonë ndaj gjithë rajonit”, ka thënë Vuçiç.

Teksa ka folur për fazën e ardhshme të dialogut, ai ka përmendur veprimet që mund t’ia veshin atij epitetin e tradhtarit.

“Mendoj ta hap këtë diskutim guximshëm, pavarësisht se e di që përsëri do të lajmërohen disa gjeni që do të ma tundin tabelën ‘tradhtar’”.

Sipas analistit Belul Beqaj, ky paralajmërim i Vuçiçit vjen për shkak se Serbia pritet ta hapë kapitullin e 35-të të negociatave për anëtarësim në BE, i cili flet për marrëdhëniet që shteti serb duhet t’i ketë me Kosovën.

“Serbia është para fazës së hapjes së Kapitullit të 35-të për anëtarësim në BE. Kjo nënkupton edhe hapjen e bisedimeve për të ardhmen e zgjidhjes formale të Kushtetutës së Serbisë, në preambulën e së cilës figuron Kosova”, ka thënë Beqaj për “Kohën Ditore”.

Ai nuk i përjashton as opsionet e tjera.

“Serbia fillimisht do të insistojë në krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, me kompetenca ekzekutive. Ndërsa epilogu përfundimtar do të jetë, sipas mendimit tim, i hapur edhe për alternativa të tjera, duke përfshirë edhe marrëveshje të këmbimeve territoriale”, ka theksuar Beqaj.