Në një opinion të saj të publikuar në portalin respublica.al, Silvana Toska (studente doktorature në shkencat politike pranë universiteteve Kornell dhe Harvard në ShBA) analizon arsyet që sipas saj bënë të mundur triumfin në zgjedhje të Beppe Grillo-s dhepsenë Shqipërimungon një alternativë e tretë politike krahas dy partive të mëdha PD dhe PS.

Sipas Toskës arsyet se pse parti të krijuara nga njerëz që nuk kanë karrierë politike të mëparshme (rasti i “Pesë yjet” të Beppe Grillo) apo parti radikale si Agimi i Artë në Greqi apo Fidesz në Hungari, që fitoi zgjedhjet me retorikën anti-komuniste dhe nacionaliste, kanë arritur të bëhen faktor i rëndësishëm në jetën politike të vendeve përkatëse është se popullsia europiane po rebelohet ndaj kastës drejtuese. “Ajo çfarë po ndodh vërtet është një rebelim i votuesve në sisteme shumë të ndryshme nëpër Evropë ndaj qeverive që kanë humbur komplet legjitimitetin në vitet e fundit: ky rebelim ka ardhur në forma të ndryshme dhe herë përkrah të majtën, herë të djathtën radikale ose ekstreme”,- shkruan Toska.

Ndërsa analizon situatën që po kalon Europa, ku kriza ekonomike ka krijuar jo pak pasiguri tek njerëzit dhe urrejtje ndaj klasës drejtuese, e për këtë shkak po mbështet në masë të madhe parti radikale, autorja e shkrimit ndalet në situatën në Shqipëri dhe nënvizon mungesën e një alternative të tillë në spektrik politik shqiptar.

Toska rendit tre arsye që sipas saj nuk krijojnë mundësitë reale për atë që në mediat e huaja është quajtur “cunami” Grillo. Mungesa e një alternative të re bindëse politike dhe konformizmi me pushtetin për interesat të ngushta personale është sipas saj një nga arsyet që pengojnë krijimin e këtij fenomeni edhe në vendin tonë.

“Së pari, këto alternativa të treta kanë dalë në sisteme më të mirëfillta demokratike ose, në rastin e Lindjes së Mesme, pasi sistemi i vjetër autoritar u rrëzua. Në Shqipëri, ku shumë prej njerëzve në moshë pune varen drejtpërdrejt nga elita politike, nuk ka akoma vullnet për të dalë kundër interesave personale të momentit dhe për të mirën më të largët personale dhe të shoqërisë në përgjithësi. Ndërkohë, të pavarurit dhe moshat e reja, të cilët mund të lëkunden për të përkrahur një alternativë të re, nuk e shohin atë gjëkundi”,- shkruan Toska.

Nga ana tjetër pamundësia e shoqërisë shqiptare për të krijuar të majta apo të djathta ekstreme dhe shkrirja e lëvizjes “Mjaft”, që lindi si lëvizje antikonformiste, brenda strukturave partiake janë sipas saj dy arsye të tjera se pse në Shqipëri mungon një pol i tretë që të pozicionohet fuqishëm mes dy partive të mëdha dhe të ofrojë një mënyrë të re qeverisjeje larg praktikave tashmë të ezauruara nga të dyja kampet.

“Zbutja dhe përfshirja finale e lëvizjes Mjaft brenda pushtetit lë një shije të hidhur mbi mundësinë e alternativës së tretë, atë rebele”,- shkruan Toska.

Sipas saj “në këto kushte, Shqipëria është e detyruar (për momentin) të vazhdojë me politikanë tradicionalë. Kjo është fatkeqësi pasi, megjithë rrezikun që përbëjnë, janë radikalët ata të cilët ndryshojnë drejtimin e historisë”.

/m.b. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/

Shkrimin e plotë mund ta lexoni në linkun e mëposhtëm:

http://respublica.al/opinion/2013/02/27/ndryshimi-vjen-nga-radikalet-jo-nga-politikanet-tradicionale