Aleks Shpori, njëri nga personat e arrestuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda si paguesi i 29 mijë eurove te prokurori i Krujës Haxhi Giu, ka ndryshuar dëshminë e tij. Ndryshe nga hera e parë, kur Shpori pas arrestimit nga policia dhe sekuestrimi i 29 mijë eurove në makinë, kishte deklaruar se këto para i ishin premtuar prokurorit Haxhi Giu, gjatë fazës së hetimeve këtë deklarata ai i ka ndryshuar duke pohuar se lekët e gjetura brenda në makinë i përkisnin atij dhe se me to do blinte një makinë në Durrës, shkruan “Shqiptarja.com”.

Ky qëndrim është i kundërt me atë të parin, kur Shpori tregonte se shuma e parave ishte mbyllur në një exchange për prokurorin e Krujës Haxhi Giu si garanci për të ndryshuar akuzat për vëllanë e tij.

Pavarësisht kësaj, ndryshimi i thënieve të Aleks Shporit nuk ndryshon asnjë gjë rreth fatit të dosjes apo pozicionin e prokurorit Giu. Kjo pasi në dosje janë administruar dhe prova të tjera që vërtetojnë se prokurori Haxhi Giu është implikuar në këtë aferë.