TIRANË, 28 mars 2013 – Ndryshon formati i aboneve të urbanëve në kryeqytet. Ndryshimi pritet të hyjë në fuqi pas datës 5 prill. Shoqata e Transportit Urban ka hedhur në treg një abone me karton ku poseduesi i saj duhet të japë të dhënat e tij personale, emrin, mbiemrin si dhe në të të jetë e përfshirë edhe fotografia. Sipas shoqatës kjo lloj aboneje është hedhur në treg për arsye sigurie, por edhe për të minimizuar abuzimet nga ana e qytetarëve në linjat urbane.
Bashkia e Tiranës ka reaguar menjëherë për nxjerrjen e këtij kartoni të ri nga subjektet e transportit publik.
‘Derisa bashkia të bjerë dakord për një format të kartonit që lufton informalitetin dhe nuk krijon praktika monopol apo antikonkuruese, cdo veprim i njëanshëm nga subjektet e transportit publik do të cojë automatikisht në hapa të menjëhershëm për heqjen e licencës. Ky ka qënë, është dhe mbetet qendrimi ynë i pandryshueshëm”, shprehet Bashkia e Tiranës ne nje njoftim per mediat.





