7 shkurt 2015 –  LSI-ja në kuadrin e përgatitjeve për zgjedhjet vendore po bën ndryshime jo të vogla, në emërime kuadrosh në pjesën e pushtetit, që i takon pas ndarjes së tortës të v. 2013. Deri tani këto ndryshime ishin në nivel drejtorësh, ndërsa po kalohet edhe në nivele më të lartë.  

Kështu, z. Selim Belortaja drejtori aktual i APD-së (Autoriteti Portual Durrës) është liruar nga detyra e drejtorit të APD-së dhe është emëruar si zv/ministër i punëve të jashtme. Theksojmë se z. Belortaja ishte për mbi një vit drejtor i APD-së dhe menaxhoi një periudhë të vështirë, kur një pjesë e portit nga publik kaloi në privat me metodën e dhënies me koncesion BOT.

Këto koncesione në portin e Durrësit u dhanë në javët e fundit të pushtetit të PD-së. Iu desh z. Belortaja si kreu i ri i APD-së të menaxhonte këto koncesione problematike, krahas punës rutinë për drejtimin e pjesës së pa privatizuar të Portit të Durrësit.

Drejtori Belortaja u shqua edhe për kontakte korrekte e profesionale me përfaqësuesit lokalë të medias si edhe për një promovim të transparencës së punës së Autoritetit Portual Durrës. Urojmë, që z. Belortaja të jetë një zv/ministër i jashtëm i sukseshëm !

/gj.th. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/