Ndryshojnë pagesat e shpenzimeve dhe honorarëve të ekspertëve dhe dëshmitarëve gjatë procesit gjyqësor. Me ndryshimet që iu bënë ligjit dhe që kanë hyrë në fuqi që dje çdo dëshmitari i paguhen 25 mijë lekë në ditë. Gjykata e rrethit gjyqësor publikon çdo vit listën e ekspertëve të licencuar dhe përditëson listën, në rastet kur autoritetet licencuese marrin masa administrative të pezullimit të licencës. Pagesat kryhen nga gjykata dhe llogariten në bazë të orëve të punës. Ndërsa për dëshmitarët në një proces gjyqësor kanë të drejtën e mbulimit të shpenzimeve për dëshminë e dhënë.  

Pagesat 

Sipas ligjit që sapo ka hyrë në fuqi caktimi i shpenzimeve që u takojnë ekspertëve bëhet në bazë të vendit ku banon eksperti. Në rast se eksperti i caktuar banon në një largësi deri në 100 km nga gjykata ku është thirrur për të kryer ekspertizën, trajtimi financiar i tij përfshin vetëm shpenzimet e transportit, kundrejt dokumentit tatimor përkatës, në bazë të legjislacionit në fuqi për procedurat tatimore. Ndërsa, kur eksperti banon në një largësi mbi 100 km nga gjykata ku është thirrur për të kryer ekspertizën, atij i përballohen shpenzimet si dietë ditore, jo më shumë se 2500 lekë në ditë, kur ekspertiza zgjat më shumë se një ditë. Gjithashtu buxheti i shtetit  është e detyruar të  mbulojë shpenzimet e fjetjes, kundrejt dokumentit tatimor përkatës, të paraqitur nga hoteli e të shoqëruar me kuponin tatimor, por jo më shumë se 3 mijë lekë, për çdo natë. Ndërkohë që pagesa për punën e kryer për ekspertimin nga eksperti i licencuar nuk mund të tejkalojë shumën 40 mijë lekë.

Dëshmitarët  

Shpenzimet e dëshmitarëve mbulohen nga buxheti i shtetit kur dëshmitari banon në një largësi deri në 100 km nga gjykata ku është thirrur për të dëshmuar, mbulimi i shpenzimeve të përfshijë vetëm shpenzimet e transportit, kundrejt dokumentit tatimor përkatës, por jo më shumë se tarifat përkatëse sipas distancës kilometrike të linjës. Në rastet kur dëshmitari banon në një largësi mbi 100 km nga gjykata ku është thirrur për të dëshmuar, atij i përballohen shpenzimet si dietë ditore, në masën jo më shumë se 2 500 lekë në ditë, shpenzimet e fjetjes, kundrejt dokumentit tatimor përkatës, në bazë të legjislacionit në fuqi për procedurat tatimore, të paraqitur nga hoteli e të shoqëruar me kuponin tatimor, por jo më shumë se 3 mijë lekë, për çdo natë dhe shpenzimet e transportit. Kur dëshmitari largohet nga vend i punës, shpërblehet në vlerë të barabartë me pagën ditore të ndërprerë. Shpërblimi kërkohet nga dëshmitari me anë të paraqitjes së një dokumenti me karakter vërtetues të vendit të punës dhe vlerës së pagës. 

Përkthyesit e dosjeve

Ndryshimet e fundit ligjore kanë parashikuar edhe kriteret dhe procedurat e  përzgjedhjes së përkthyesve të jashtëm, tarifat e pagesës së përkthyesve të jashtëm dhe tarifat e përkthimit zyrtar që duhet të paguajnë të tretët”, në bazë faqesh. Në rast se përkthyesit do të thirren për t’u paraqitur në gjykatë për të kryer shërbimet e tyre, përveç pagesës, u mbulohen  edhe shpenzimet ditore në të njëjtën masë, referuar ekspertëve dhe dëshmitarëve.  Sipas ligjit dokument tatimor, për efekt të këtij udhëzimi, do të konsiderohet çdo biletë transporti e miratuar nga Ministria e Financave, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, si dhe çdo faturë e thjeshtë apo me TVSH, e cila detyrimisht duhet të shoqërohet me kupon tatimor. 

Nga: ORNELA MANJANI