Ndryshon ligji për shëndetin mendor, shtohen rastet për gjobitjen e mjekëve deri 50 mijë lekë; Ja kur hiqet e drejta e profesionit deri në 3 vjet
Mjekët që do të kryejnë shtrim të vullnetshëm në spital të personave me çrregullime mendore, pa marrë miratimin nga Ministri i Shëndetësisë do të dënohen me heqje të së drejtës të ushtrimit të profesionit deri në 3 vjet.
Ministria e Shëndetësisë hodhi për konsultim publik ndryshimet në ligjin “Për shëndetin mligjiendor”. Drafti parashikon gjobë për mjekët me vlerë deri në 50,000 lekë për rastet kur nuk informojnë për të drejtat dhe arsyet e shtrimit; mosnjoftimi në afat i shefit të shërbimit për trajtimin e pavullnetshëm dhe mosrespektimi i afateve të vendosura në rastin e rivlerësimit të shtrimit të pavullnetshëm.
Ligji aktual parashikon heqjen e të drejtës të ushtrimit të profesionit deri në 3 vjet për rastet e nxjerrjes të sekretit profesional, për trajtime të veçanta mjekësore, apo për kërkime shkencore pa miratimin e pacientëve. Projektligji i propozuar parashikon heqjen e të drejtës të ushtrimit të profesionit për shtrimet e vullnetshme pa marrjen e miratimit të informuar (sigurohet nëpërmjet ofrimit të informacionit të plotë dhe të përshtatshëm ndaj pacientit për natyrën, qëllimin dhe efektet e ndërhyrjes terapeutike të propozuar, e dokumentuar në formularin tip të miratimit të informuar të trajtimit të vullnetshëm, të miratuar nga Ministri i Shëndetësisë).
Projektakti reflekton edhe rekomandimet të Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës së Këshillit të Evropës (CPT), si përfitimi nga parashikimet ligjore për procedurat e shtrimit dhe trajtimit të pavullnetshëm të personave me çrregullime të shëndetit mendor, madhorë, që nuk kanë zotësi për të vepruar ose kanë zotësi të kufizuar për të vepruar.
“Kjo ndërhyrje ligjore u jep mundësinë që personat me çrregullime të shëndetit mendor, madhorë, që nuk kanë zotësi për të vepruar ose kanë zotësi të kufizuar për të vepruar, të cilët nuk miratojnë shtrimin në shërbimet e shëndetit mendor të specializuar me shtretër, pavarësisht mendimit të kujdestarit të tyre ligjor. Gjykata, para marrjes së vendimit për shtrim apo trajtim të pavullnetshëm duhet të dëgjojë vetë personin, subjekt i këtyre procedurave.
Ofrimi i një mase të shtuar ligjore për personat subjekt i procedurave të shtrimit dhe/ose trajtimit të pavullnetshëm, ku Gjykata merr mendimin e një mjeku specialist të një institucioni të pavarur nga institucioni ku është shtruar personi, kjo si një opinion krejtësisht i pavarur nga opinioni i mjekut të dytë brenda institucionit”, thuhet në relacion.
Vendimi i gjykatës mbi shtrimin ose trajtimin e pavullnetshëm, duhet të rishikohet çdo 21 ditë (sa është edhe ditë qëndrimi mesatar në shërbimet e shëndetit mendor të specializuar me shtretër). Sipas projektligjit personat e shtruar në mënyrë të pavullnetshëm, gëzojnë të drejtën e parashtrimit të kërkesës për revokimin e vendimit të gjykatës. /Monitor