10 korrik 2015 –Vendimi i Gjykatës së arbitrazhit Sportiv për t’i dhënë fitoren në tavolinë Shqipërisë për sfidën me Serbinë e luajtur më 14 tetor në Beograd, praktikisht i ka siguruar kombëtares sonë kualikimin në fazën play-off, por me situatën e re të krijuar në Grupin I eliminator, ambiciet e Shqipërisë janë për kualifikim direkt në finalet e “Francë 2016″, si e para por pse jo edhe si e dyta e grupit.
Para këtij vendimi, Shqipëria renditej në vendin tretë në kuotën e 7 pikëve, me 2 fitore, 1 barazim dhe 1 humbje, dhe me një golaverazh të përgjithshëm 45, ndërsa me trepikëshin e Lozanës kuqezinjtë shkojnë në kuotën e 10 pikëve, duke barazuar Danimarkën. Golaverazhi pozitiv me 7 gola të shënuar dhe 2 të pësuar, e ngjit Shqërinë në vendin e dytë, sepse danezët kanë një golaverazh më të dobët.
Më 3 shtator, Shqipëria do të luajë në transfertë pikërisht me Danimarkën, sfidë që mund të rezultojë vendimare për kualifikimin direkt të kuqezinjve. Formacioni i De Biasit mund të luajë edhe për barazim në Danimarkë, duke shpresuar në një tjetër rezultat pozitiv në Elbasan Arena më 7 shtator ndaj Portugalisë, të cilën Shqipëria e mposhti 1-0 në transfertë në takimim e parë të këtyre eliminatoreve.Më 8 tetor kuqezinjtë do të presin në Shqipëri Serbinë, ndërsa në takimin përmbyllës më 11 tetor do të luajnë në transfertë me Armeninë.
Sigurisht që dy ndeshjet e radhës përballë kundërshtarëve direkt si Danimarka dhe Portugalia, do të vendosin fatin e Shqipërisë në këtë grup, ku kuqezinjtë janë pranë një kualfikimi historik.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/