Tiranë, 12 mars 2014 – Rimbursimi i Tatimit Mbi Vlerën e Shtuar(TVSH) që qeveria duhet tu bëjë bizneseve, nuk do të jetë më problem për këto të fundit, të cilët deri më tani e kanë ngritur si shqetësim kryesor.

Mospagesat në kohë, shkelja e afateve, kanë krijuar ngërç në aktivitetet e sipërmarrjeve duke bërë që të stepen investimet e mëtejshme. Kështu, nëpërmjet një udhëzimi të botuar në Fletoren Zyrtare, Ministria e Financave ka ndryshuar rregullat ekzistuese  duke përcaktuar që “rimbursimi i TVSH-së të kryhet direkt nga sistemi i Thesarit”, ndërsa deri më tani ishte kryer nga organet tatimore. Në udhëzim thuhet se afatet e përcaktuara për rimbursimin e TVSH-së sipas kategorive të personave të tatueshëm fillojnë nga data e protokollimit të kërkesës për rimbursim të TVSH-së, në Drejtorinë Rajonale Tatimore, datë e cila është e njëjtë me datën e mbërritjes ose paraqitjes së kërkesës për rimbursim nëpërmjet shërbimit postar rekomande (me nënshkrim të marrësit).

Degët e tatimeve brenda 2 ditëve punë nga përfundimi i procesit të verifikimit të kërkesave për rimbursim, nisin njoftimin për degën përkatëse të Thesarit nëpërmjet shërbimit postar. Struktura përgjegjëse e Thesarit në qendër merr masa për të siguruar likuiditetin e nevojshëm për pagesën e shumës së rimbursimit nga Drejtoria Rajonale Tatimore brenda 30 ditësh nga data e paraqitjes së kërkesës për rimbursim për eksportuesit dhe brenda 60 ditësh nga data e paraqitjes së kërkesës për rimbursim për personat e tjerë të tatueshëm.  

Deri më tani afati për të dyja kategoritë ka qenë 30 ditë, por duke qenë se nuk është zbatuar asnjëherë, është vendosur një periudhë kohe më e gjatë kohe por me qëllim rritjen e zbatueshmërisë. Procedura e përcaktuar në këtë udhëzim do të zbatohet për të gjitha kërkesat për rimbursim të TVSH-së të protokolluara në drejtoritë rajonale tatimore pas datës 1 Janar 2014.