Hyn në fuqi udhëzimi për zbatimin e ndryshimeve në tatimin e rrogave për rritjen e pragut nga 130 mijë lekë në mbi 150 lekë, që do të taksohen 23 për qind.

Më herët në masën 23 për qind taksoheshin pagat mbi 130 mijë lekë. Konkretisht, po t’u referohemi shembujve zyrtarë që jep udhëzimi, ndryshimet sjellin që rrogat deri në 150 mijë lekë në muaj do të tatohen 13 për qind.

Më herët, deri në masën 13 për qind tatohen rrogat deri në 130 mijë lekë. Udhëzimi përcakton se rrogat mbi 150 mijë lekë do të tatohen 23 për qind të shumës mbi këtë prag. Për ta konkretizuar për qytetarët gazeta sjell shembullin se sa tatim do të paguhet me ndryshimet e miratuara. Në këtë rast marrim shembullin e një rroge 160 mijë lekë. Aktualisht, pagat deri në 30 mijë lekë nuk paguajnë tatim mbi të ardhurat, shkruan gazeta Panorama.

Ndërsa pagat deri në 150 mijë lekë paguajnë 13 për qind tatim mbi të ardhurat e diferencës së 150,000-30,000×13% = 15,600 lekë tatimi që paguhet. Por, nëse rroga është mbi 150 mijë lekë, marrim në këtë rast shembullin e një rroge 160 mijë lekë, tatimi është 160,000-150,000=10,000×23% = 2,300+15,600 = 17,900 lekë.

Pra, ndryshimi i tatimit mbi të ardhurat sjell rritje të pragut për rrogat që do të tatohen 13 për qind, nga 130 mijë lekë që ishte në 150 mijë lekë. Nga rritja e pragut të tatueshëm 23 për qind, sipas shifrave zyrtare të Ministrisë së Financave, do të përfitojnë 15,400 të punësuar.

ISHTE
Nga zero deri në 30,000 lekë tatohen 0 për qind
Nga 30,001 deri 130,000 lekë tatohen 13% e shumës mbi 30,000 lekë
Nga 130,001 e në vijim tatohen 13,000 lekë plus 23 % e shumës mbi 130,000 lekë
BËHET
Nga zero deri në 30,000 lekë tatohen 0 për qind
Nga 30,001 deri 150,000 lekë tatohen 13% e shumës mbi 30,000 lekë
Nga 150,001 e në vijim tatohen 15,600 lekë plus 23 % e shumës mbi 150,000 lekë