3 maj 2015 – Në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës zhvilloi sot një aktivitet simbolik para Teatrit Kombëtar në Prishtinë me moton “Fol, mos hesht”.
Kryetari i Bordit të këtij asociacioni, Zekirja Shabani, duke renditur disa prej kërcënimeve e sulmeve që janë bërë përgjatë një viti ndaj gazetarëve në Kosovë, tha se janë shënuar 24 raste vetëm vitin e kaluar, kur gazetarët u kërcënuan dhe u sulmuan fizikisht në krye të detyrës. Ndërsa, këtë vit ka pasur 6 raste të dhunës ndaj gazetarëve.
Sipas Shabanit, gazetaria në Kosovë nuk është aspak e lehtë, duke filluar nga gjendja e rëndë financiare me të cilën përballen mediat ne vend, mungesa e funksionimit të rendit dhe ligjit, si dhe presionet e grupeve të interesit nga politika e biznesi, mungesa e kontratave të punës, vonesa e pagave për muaj të tërë etj.
/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/