Shkon në 23 numri i të arrestuarve dhe të proceduarve gjatë dy javëve të fundit, të cilët ushtronin veprimtarinë e kundraligjshme të lojërave të fatit në lokalet e Durrësit dhe rrethinave njofton policia vendore.

Duke iu referuar 24 orëve të fundit, policia bën me dije se “si rezultat i kontrolleve intensive në ambiente të ndryshme, evidentohen dhe goditen dhe 3 raste të tjera të kësaj veprimtarie.

Arrestohen 2 shtetas dhe procedohet në gjendje të lirë një tjetër, pasi u kapën në flagrancë në 3 lokale duke organizuar lojëra fati, me celularë.

Në vijim të veprimeve u arrestuan shtetasit R. B., 18 vjeç dhe E. N., 29 vjeç, të dy banues në Katund Sukth Durrës, si dhe u referuan materialet në Prokurori ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasin I. D., 52 vjeç, banues në Katund Sukth Durrës. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 3 celularët që përdoreshin për këtë veprimtari të paligjshme.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.