Tiranë, 14 qershor 2014 – Brenda 6 muajve krimi i ka marrë jetën 9 sipërmarrësve, ku vrasjet mafioze nisin me shpërthimin e automjetit të një biznesmeni ndërtimesh dhe përfundojnë me ekzekutimin e ortakut të tij në biznes.
Kujtim Dyrmishi është viktima e fundit e serisë së eleminimeve. 49-vjeçari, ortaku i Xhemal Çelës vrarë me shpërthim eksplozivi në 24 janar 2014 po në zonën e plazhit në Durrës, u qëllua me breshëri automatiku kur sapo kishte hipur në automjetin e tij.Vrasësit e maskuar e kanë pritur që ai të hyjë në makinë, pasi ka dalë nga një dyqan dhe e kanë goditur nga xhami i përparmë duke e lënë të vdekur në vend.
1 javë para shpërthimit të telekomanduar të automjetit të Xhemal Celës, i cili humbi jetën në spital, një tjetër biznesmen humbi jetën në kryeqytet. Larjet e hesapeve, për biznesin e kromit në Bulqizë, dyshohen të jenë shkaku i vrasjes, që ndodhi në afërsi të “Tregut elektrik” në kryeqytet. Hasan Talja 42 vjeç, u qëllua disa herë përpara banesës së tij me pistoletë. Kalimtarë të rastit e dërguan atë menjëherë drejt spitalit, por 42-vjeçari nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të rënda.
Një muaj më pas, më 27 shkurt ,një 53 vjeçar, biznesmen i fidanishteve, u gjet i vrarë në zonën e liqenit artificial në Tiranë. Lutfi Peti ishte goditur disa herë me sende të forta brenda automjetit të tij, ndërsa policia tha se nuk ka një pistë të saktë të motiveve edhe pse u komunikua se ai mund të ketë rënë viktimë e ndonjë grabitjeje.
Vetëm pak orë më pas një shpërthim i telekomanduar i mori jetën një tjetër biznesmeni, në zonën e Vorës. Baki Xhabafti humbi jetën pas shpërthimit të automjetit të tij Renault, vetëm pak metra pasi biznesmeni i një servisi automjetesh në Vorë kishte hipur në makinë. Një nga pistat e hetimit vazhdon të mbetet edhe ajo biznesit te tij, por më kryesorja, sipas policisë së kryeqytetit është ajo e hakmarrjes.
Në prill, dy persona u ekzekutuan me armë zjarri në Urën e Tapizës në Fushë-Krujë. Policia bëri të ditur se viktimat janë Gjin Nika, aksioner i galerive të kromit në Bulqizë, si dhe një miku i tij Fabio Xhunga. Nika dhe Xhunga po udhëtonin me motor në drejtim të Tiranës dhe autorët i kishin zënë pritë tek Ura e Tapizës. Ata u qëlluan me breshëri automatiku, pa u lënë asnjë mundësi shpetimi.
Më 25 prill, pas një konflikti mbeti i vrarë pronari i një lokali në zonën e ish bllokut ne Tiranë. Ariel Zanka u qëllua pas një debati mes disa personave për një borxh të pashlyer, të cilët pas sherrit me fjalë qëlluan mbi 36 vjeçarin duke e lënë të vdekur në vend.
Një muaj më pas, më 8 maj, një biznesmen nga Berati u ekzekutua me automatik në hyrje të qytetit. Biznesmeni 52-vjeçar, Artur Mustafaraj u qëllua me breshëri plumbash në afërsi të Kombinatit në qytetin e Beratit. Policia tha se atentatorët i kishin zënë pritë 52 vjecarit dhe e qëlluan për vdekje në momentin, kur Mustafaraj hipi në automjetin e tij.
/abcnews/





