Ndaj një shqiptari në Itali, i akuzuar për zhvatje dhe dhënie parash me fajde, është ekzekutuar sot masa e arrestit shtëpiak.

Hetimet, e koordinuara nga Prokuroria e Latinas dhe të kryera nga Guardia di Finanza e Aprilia-s, kanë mundur të konstatojnë se C.P., 44 vjeç, në harkun kohor të 6 muajve ka zhvatur më shumë se 100.000 euro nga subjekte të ndryshme.

Shqiptari vendoste norma interesi jashtëzakonisht më të larta, madje në disa raste shkonte edhe në 300% të kapitalit të dhënë me fajde, raportojnë mediat lokale.

Skema “kriminale” ishte studiuar në atë mënyrë që mos t'i jepte të dëmtuarve mundësinë e shlyerjes së borxheve. Në fakt, fajdexhiu, edhe pse përdorte metoda frikësuese, tregohej gjithnjë i gatshëm të jepte shuma të reja parash, që përdoreshin nga të dëmtuarit për të paguar këstet e fajdeve të marra më herët. Shqiptari përdorte 3 bashkëpunëtorët e tij, po shqiptarë, për të frikësuar borxhlinjtë.

Po për këtë çështje janë denoncuar edhe tre shqiptarët e përfshirë në akte kriminale.