Një mesazh i qartë mes rreshtave nga trajneri zikaltër. Interi fitoi ndaj Mançester Sitit me penallti të shtunën, më 1 gusht, në një miqësore të fazës përgatitore, por ajo që tërhoqi më shumë vëmendjen e tifozëve pas ndeshjes ishin fjalët e trajnerit Kristian Kivu.
Pas sfidës së zhvilluar në Hong Kong, trajneri zikaltër konfirmoi se në aspektin e merkatos ende duhet të bëhen disa ndërhyrje. “Klubi e di se si mendoj unë. Na duhen lojtarë që të rrisin nivelin e skuadrës. Duhet durim, sepse merkatoja është ende e gjatë”, tha Kivu për “Sky Sport”. Kjo deklaratë konfirmon nga njëra anë shpresat e klubit, por nga ana tjetër përcjell një mesazh shumë të qartë të trajnerit, Interi i sotëm nuk është ende një skuadër e kompletuar dhe këtë e dinë si ai, ashtu edhe drejtuesit e klubit.
TRE OBJEKTIVAT E INTERIT – Prioriteti i parë është një anësor i djathtë, pas largimit të Denzel Dumfris drejt Real Madridit. Profili i pëlqyer është Djed Spens, por kostoja prej rreth 30 milionë eurosh dhe dilemat për pozicionin e tij kanë bërë që zikaltërit të frenojnë. Vetë Kivu ka pranuar se aktualisht Interi ka “tre anësorë e gjysmë”, duke lënë të kuptohet se skuadra ka nevojë për alternativa në të dy krahët. Një tjetër kërkesë është një qendërmbrojtës. Pas afrimit të Xhon Stons, Interi kërkon një tjetër lojtar për repartin, sidomos për shkak të pasigurisë rreth të ardhmes së Benjamin Pavard.
Objektivi kryesor është Kristian Romero. Totenhemi kërkon rreth 50 milionë euro për mbrojtësin argjentinas, ndërsa Interi nuk dëshiron të kalojë 40 milionë euro plus bonuse. Diferenca mbetet e madhe, por negociatat mund të vazhdojnë. Edhe mesfusha kërkon ndërhyrje. Megjithatë, përpara afrimeve të reja duhet të zgjidhen largimet e Kristjan Asllanit dhe Davide Fratezit.
Në pritje është Kurtis Xhons, për të cilin Liverpuli kërkon rreth 45 milionë euro. Interi shpreson të përfitojë nga kontrata e lojtarit që skadon vitin e ardhshëm për të ulur çmimin. Mesazhi i Kivusë është i qartë, Interi ka një bazë të fortë, por për të qenë konkurrues në objektivat madhore, skuadra ka nevojë për lojtarë që jo vetëm plotësojnë organikën, por që rrisin realisht nivelin e ekipit.





