Forcat RENEA kanë rrethuar mbrëmjen e djeshme zonën në afërsi të burgut të Peqinit, ku dyshohet se është fshehur Talo Çela, një nga personat më të kërkuar të momentit, i përfshirë në grabitjen e Rinasit dhe atentatin e fundit në Durrës, ku u ekzekutuan dy vëllezërit Haxhia.

Lidhur me këtë operacion priten të mësohen më shumë detaje në orët në vijim.

Talo Çela është person i shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, pasi Gjykata për Krimet e Renda Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja e punonjësit të policisë” kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, “Vjedhja me armë e kryer në bashkëpunim”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe “Vrasja me paramendim, kryer në bashkëpunim”.

Çela është autori i dyshuar i ngjarjes së datës 9 prill 2019, ndodhur në pistën e aeroportit “Nënë Tereza”, në Rinas, Tiranë, ku persona të maskuar, nën kërcënimin e armëve të zjarrit, kanë arritur të vjedhin një sasi të konsiderueshme vlerash monetare të cilat po ngarkoheshin në avion dhe më pas gjatë shkëmbimit të zjarrit me Policinë, mbeti i vrarë njëri prej autorëve kryesorë të kësaj ngjarjeje.

Gjithashtu ky ai dyshohet se fshihet pas atentatit me armë zjarri të 2 vëllezërve Haxhia në Durrës. Emri i Talo Çelës ka dalë në dritë përmes dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Klevis Alla, të arrestuar për vrasjen e vëllezërve Haxhia.