Një tragjedi e vërtetë në qendër të Montecatini Terme. Një 32-vjeçar me origjinë shqiptare u gjet i pajetë në banesën e tij pasditen e djeshme, në rrugën Salsero 6, në zonën kryesore të pazareve. Viktima i identifikuar si Mario Qorri, rezident prej kohësh në Itali, dyshohet se ka humbur jetën për shkak të monoksidit të karbonit, për shkak se kishte ndezur një sobë me dru për t’u ngrohur, shkruan noa.al.
Trupi i pajetë u gjet nga policia, pasi u lajmërua nga një fqinj i tij, i cili i binte derës dhe nuk merrte përgjigje.
Dyshohet se vdekja ka ndodhur natën e së shtunës duke u gdhirë e diel. Mësohet se viktima jetonte në Montecatini me gruan ruse dhe djalin, të cilët në ditët e festave ishin larguar nga Italia për pushime dhe do të ktheheshin më 13 janar. Bëhet e ditur se banesa nuk ishte në gjendje të mirë dhe se i ftohti, duket se ka bërë që i ndjeri të ndezë sobën me dru për ngrohje. Mësohet se Mario Qorri ndodhej në arrest shtëpie, për çështje të lidhura me drogën.
Në Montecatini jetojnë edhe vëllai dhe motra e viktimës.





