Një ditë pasi gjykata vendosi lirinë e saj, gruaja lehonë e burgosur pak ditë pas lindjes së foshnjes, ka rrëfyer në media momentet e saj të vështira duke pohuar se pavarësisht që kishte deklaruar para efektivëve se kishte një foshnjë të vogël, asgjë nuk ishte marr parasysh.
“Për mua ishte shumë e vështirë. Nuk mund ta përballoja dot. Me zor kam ndenjur atje, duke qarë ditë natë. Aty kam ndenjur vetëm, nuk jam bashkuar me gratë e tjera”, thotë Diana Bahçja duke shtuar se infermieret janë kujdesur për të.
“Infermieret u kujdesën për mua aty. Kur shkova te policia e Shkodrës thjesht më thanë që je dënuar 1 muaj e 10 ditë. Ata të Tiranës më thanë 1 muaj e 20 ditë. Erdhën të Tiranës më morën dhe më çuan. U tregova se sapo kisha lindur. Nuk donin t’ia dinin. Nuk kemi lidhje me atë punë. Kam ndenjur në Shkodër 3 orë, 4. Policia e Tiranës nuk kanë fol fare. Nuk më kanë dhënë përgjigje. Thjesht heshtën”, tha ajo.
Diana Bahçja kishte qenë e dënuar me një gjobë, e cila për shkak të mospagesës ishte konvertuar në dënim me burg. Ajo shprehet se nuk ka qenë në dijeni as për gjobën dhe as për dënimin.
“Thjesht ka ardhur ai zotëria këtu tek shtëpia dhe më ka marrë”, tregon Diana.
Kujtojmë se rasti i Diana Bahçja shkaktoi reagim të lartë në publik, për shkak se në momentin e arrestimit foshnja e saj ishte vetëm 8 ditëshe.