Princi Alwaleed bin Talal është liruar nga burgu, dy muaj pas arrestimit të tij për akuzat për korrupsion.

Sipas mediave të huaja ai u lirua pas arritjes së një marrëveshjeje financiare me prokurorin shtetëror. Princi Alwaleed u arrestua në nëntor nga organizmi i ri antikorrupsion, që drejtohet nga Princi saudit i Kurorës, Mohammed bin Salman.

Nuk dihet sa ka paguar për lirinë Alwaleed, por nuk ka dyshim që ka zbrazur mjaft parà, ashtu si të tjerët që u liruan para tij. Për shembull, Princi Miteb bin Abdullah, i cili u lirua në fund të nëntorit, pagoi më shumë se një miliard dollarë.

Më shumë se 200 princa, politikanë dhe biznesmenë të pasur u arrestuan në nëntor, si pjesë e të njëjtit operacion.