Gjykata e Sarandës e ka vlerësuar të ligjshëm arrestimin e mësuesit 60-vjeçar Neshat Tepelena të dyshuar për veprime të turpshme ndaj të miturave dhe e ka lënë në masë sigurie "arrest me burg" deri në fund të hetimeve.

Në të njëjtën seancë, Gjykata e Sarandës shpalli moskompetencë për të gjykuar çështjen me themel për shkak se nuk ka një seksion për të mitur.

Procesi ndaj 60-vjeçarit do të vijojë pranë Gjykatës së Gjirokastrës.

Ai u denoncua publikisht nga një 11-vjeçare, ish-nxënëse e tij në shkollën 9-vjeçare të fshatit Kalasë të Delvinës, por dyshohet edhe për raste të tjera.

Sipas banorëve të fshatit Kalasë, mësuesi ka qenë i përfshirë në ngjarje të tilla edhe më herët, në një rast madje çështja shkoi deri në Drejtorinë e Arsimit, por kaloi vetëm me vërejtje.

Ai vetë ka mohuar akuzat gjatë marrjes në pyetje në Policinë e Delvinës.