Durrësi i dha sot lamtumirën e fundit Zyhni Beqirajt. Mësuesi, politikani, shkrimtari dhe kompozitori i njohur u nda nga jeta një ditë më parë në moshën 77-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë.

Shumë figura të njohura të qytetit, miq, kolegë, shokë e dashamirës i dhanë lamtumirën e fundit gjatë homazheve që u mbajtën paraditen e sotme në Qendrën Kulturore “Aleksandër Moisiu” të Durrësit.

Për ish-deputetin Rolant Xhelilaj, kontributi i Zyhni Beqirajt në PS-në e Durrësit ka qenë mjaft i vyer që në ditët e para të krijimit të kësaj dege.

“Zyhniu ishte përfaqësues jonë jo vetëm në Komitetin Ekzekutiv të asaj kohe, por edhe në Komitetin Pluralist. Ai ishte njëkohësisht anëtar kryesie, deputet. Gjatë të gjithë kohës ishte në marrëdhënie të ngushtë me bazën socialiste, por edhe me të gjithë qytetarët e Durrësit. Ishte një figurë pozitive dhe e rëndësishme, që lë një boshllëk goxha të madh jo vetëm tek PS, por besoj tek të gjithë qytetarët e Durrësit”,- tha Xhelilaj.

I angazhuar për shumë vite me radhë në krye të shoqatës “Ulqini”, Beqiraj ka luajtur një rol mjaft të rëndësishëm për evidentimin e vlerave të komunitetit ulqinak që jeton prej dekadash tashmë në qytetin bregdetar.

“Zyhni Beqiraj ishte “Nderi i qytetit të Durrësit” dhe në çdo moment të jetës së tij punoi për qytetin ku u lind e u rrit, Durrësin, por edhe për qytetin nga kishte origjinën, Ulqinin. Ka qenë ura lidhëse e shoqatës “Durrësi” me shoqatën “Ulqini”. Ishte një njeri i palodhur dhe megjithëse e dinte se kishte rrezikun pranë vazhdoi të punonte jashtë profilit të tij, Fizikës, duke kontribuuar edhe në muzikë dhe letërsi”,- tha Abdulla Deliallisi, kreu i shoqatës “Durrësi’.

Një nga bashkëkohësit e Zyhni Beqirajt, mjeku i njohur Miri Hoti, thotë për “DurrësLajm”, se ai I la qytetit një pasuri të rëndësishme, kujtimet e tij.

“Pavarësisht se unë kam qenë me profesion mjek dhe ai arsimtar kemi punuar gjithnjë për qytetin e Durrësit. Kohët e fundit, Zyhniu shkroi shumë dhe bëri shumë mirë, pasi la kujtime të mira pas”,- tha Hoti.

“Zyhni Beqiraj para së gjithash ishte një shpirt i mrekullueshëm, një njeri shumë i mirë, një politikan shumë i ekuilibruar, tepër aktiv si drejtues i shoqatës “Ulqini”, kompozitor i disa këngëve mbresëlënëse të kënduar nga mjeshtri i madh, bilbili i Shqipërisë, Qemal Kërtusha”,– kështu e kujton shkrimtari Shpendi Topollaj kontributin e shquar që dha për shumë vite me radhë Zyhni Beqiraj në jetën artistiko-kulturore dhe politike të Durrësit.

M.B.