Në mes të konfliktit dhe kaosit, një familje ukrainase gjeti ngushëllim dhe siguri në një destinacion të papritur: Në Shqipëri, në Durrës.

Lënia pas e të vetmes jetë që ata kishin njohur, ishte një vendim jo i lehtë. 

Të lindur e të rritur në Ukrainë, largimi i tyre nuk ishte thjesht një zhvendosje fizike, por një akt i guximshëm, për të mbrojtur të dashurit e tyre larg realiteteve të tmerrshme të luftës.

Ishte e vështirë të linim Ukrainën, sepse ne kemi lindur atje, kemi jetuar dhe studiuar, dhe atje na kanë mbetur shumë miq”, tregon për “DurrësLajm” Oleksij Olijnik. 

“Tani disa miq na kanë vdekur në luftë, shoku im i fëmijërisë vdiq sëfundmi në luftë dhe çfarë na shtyu të largoheshim, të linim vendin tonë për Shqipërinë ishte se doja të mbroja familjen, fëmijët e mi. Në parim ishte si një hap heroizmi.”

Në Durrës, kjo familje ka gjetur më shumë se thjesht një vendstrehim të përkohshëm.

Gjithçka shkoi mirë,” kujton Oleksij, duke iu ndezur sytë nga mirënjohja. “Ndihem mirë për familjen dhe më vjen mirë që kam mundur të shpëtoj fëmijët e mi”.

Në rrugët plot njerëz të qytetit, mes sfondit të plazhit dhe ditëve plot diell, familja Olijnik ka gjetur ngushëllim, përkatësi e paqe.

Këtu ka det, ka diell, dhe mbi të gjitha s’ka luftë. Këto janë gjëra që ne i shohim si shumë të rëndësishme për të rritur fëmijët tanë”, thotë e lumtur dhe në pamje disi e lehtësuar Victoria Olijnik.

Mua më pëlqen Durrësi, sepse këtu para së gjithash është ngrohtë, tani psh në Ukrainë bie borë, moti është shumë i keq”, shton partneri i saj i jetës.

Në syrin tim ky është një vend magjik. Dielli, deti, njerëzit dhe marrëdhëniet këtu janë shumë të mira.

E vë re dhe me fëmijët tanë, të gjithë janë të buzëqeshur, të gjithë i duan dhe duan të komunikojnë me ta. Kjo është ajo që na pëlqen. Jemi lodhur me agresionin e këtu nuk gjejmë asgjë të tillë.

Njerëzit janë shumë të mirë, të sinqertë e miqësorë. Me pak fjalë, Shqipëria, Durrësi, na përshtatet fiks”, mendon Oleksij, me një buzëqeshje që i përvijohet në fytyrë, ndërsa përshkruan strehën e sapogjetur.

Një strehë e një rrugëtim, që shërben si një dëshmi e qëndrueshmërisë përballë fatkeqësive, duke na kujtuar të gjithëve, e sidomos durrsakëve, fuqinë e dhembshurisë dhe solidaritetit në kohë krize. 

Kështu në Durrës, mes jehonës së konfliktit të largët, familja Olijnik gjeti jo vetëm strehim, por edhe një ndjenjë shprese për të ardhmen.

K.Gj.