Për ditën e dytë radhazi, maturantët protestuan fillimisht para ambienteve të Ministrisë së Arsimit, ndërsa me pas u drejtuan për te QSHA.
Ata pretendojnë që teza e provimit të matematikës ishte tepër e vështirë dhe koha e vendosur në dispozicion për realizimin e saj sipas tyre, ishte e pamjaftueshme.
Të ulur këmbëkryq, ata kërkonin nga ministria që të paktën, të ulet tavani i pikëve, në mënyrë që, nxënësit e mirë të marrin nota pozitive dhe që mundi i tri viteve, të mos shkojë dëm.
Maturantët që ndodhen në protestë, kërkojnë që deri ditën e nesërme Ministria e Arsimit të vendosë për të ulur tavanin e pikëve, si dhe kërkojnë nga korrigjuesit e tezave që të tregohen tolerantë, e të marrin parasysh faktin që mësimin e kanë kryer në kushte të pazakonshme, për shkak të pandemisë.
Kujtojmë që maturantët kanë edhe një provim për të realizuar dhe janë ato me zgjedhje që do të zhvillohen ditën e martë.





