Në mot me shi të dendur, 6 rrugë të qytetit të Durrësit do të kenë të stakuar ndriçimin publik.

“DurrësLajm” mëson nga burime pranë Sektorit të Ndriçimit, në Ndërmarrjen “Rruga” se bëhet fjalë për akset “Glaukia”, “Mbreti Pirro”. “Abaz Çelkupa” “Neki Libohova”. “Mujo Ulqinaku” dhe “Hysen Kërtusha”.

Pas vdekjes tragjike të 43-vjeçarit Bardhyl Kaloshi, Inspektoriati Shtetëror Tekniko-Industrial ka kryer një sërë verifikimesh në rrjetin e ndriçimit publik të qytetit dhe institucioneve dhe ka dalë në përfundimin se në këto akse nuk plotësohet siguria teknike.

Përmbytja e këtyre rrugëve dhe rreziku që në ditët me shi niveli i ujit të kalojë atë të pusetave elektrike rrit në mënyrë eksponenciale mundësinë që ngjarje tragjike me humbje jete njerëzore të përsëriten.

Por mosfunksionimi i ndriçimit publik nuk konstatohet vetëm në ditët me shi. Mirëmbajtja e vazhdueshme e 18 mijë ndriçuesve, të shtrirë në 70 km linear linjë ndriçimi publik dhe dëmtimi i vazhdueshëm i shtyllave nga elementët keqbërës që vjedhin kabllot elektrikë i lë shpesh akset kryesore dhe dytësore në errësirë.

Pasojat në këto raste i vuajnë qytetarët.

Dritat e makinave apo reklamat e bizneseve janë të vetmet “shpëtimtarë” të kalimtarëve, që lëvizin në orët e vona.

Krahas 6 rrugëve ku ndriçimi publik nuk do të jetë funksional në ditët me reshje, në errësirë do të jetë edhe aksi “Adria”, nga Ura e Dajlanit deri tek stacioni i Trenit, i cili prej muajsh i është nënshtruar rehabilitimit.

Në fundjavë, firma që po kryen punimet nisi demontimin e shtryllave ekzistuese të ndriçimit. Për shkak të rehabilitimit, që po kryhet me fondet e BERZH, kjo rrugë nuk të do ketë ashtu si çdo vit tjetër dekorin festiv.

Ndërkohë infrastruktura e vjetër rrugore në disa akse në lagjet nr.12, 16 dhe 18, të cilat kanë problematika të vazhdueshme me ndriçimin publik ka nevojë të riparohet, por për këtë nevojiten fonde.

Bashkia po harton buxhetin për vitin e ardhshëm, por nuk dihet ende nëse një zë i caktuar në të do të jetë destinuar për zëvendësimin e rrjetit elektrik të ndriçuesve të qytetit.

Edhe nëse një fond i veçantë do të miratohet, procedurat tenderuese mund ta pamundësojnë ndërhyrjen gjatë muajve të parë të vitit të ardhshëm.

Zgjidhja më e shpejtë për qytetarët në këtë rast, është që dimri i këtij viti të ketë sa më pak ditë me shi!

M.B.