Dokumente të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara tregojnë se Jeffrey Epstein mori një ftesë për premierën e filmit World War Z në vitin 2013, pesë vjet pasi ishte dënuar për krime që përfshinin të mitur. Ftesa mban emrin e aktorit Brad Pitt dhe të ish-drejtorit ekzekutiv të Paramount Pictures, Brad Gray.
Sipas dokumenteve, ftesa ishte për shfaqjen premierë dhe festën pas saj në New York. Teksti i saj thoshte: “Brad Gray dhe Brad Pitt ju ftojnë ju dhe një shoqërues në shfaqjen premierë të WWZ”, me eventin e planifikuar për në orën 19:30 në Muzeun e Artit Modern. Pas shfaqjes parashikohej një “pritje private” në restorantin 21 Club, ndërsa ftesa theksonte se ishte e patransferueshme.

Dokumentet nuk sqarojnë se kush ishte përgjegjës për përpilimin e listës së të ftuarve dhe as nëse Brad Pitt kishte dijeni apo rol të drejtpërdrejtë në dërgimin e ftesës. Gjithashtu, nuk ka foto apo prova të tjera që konfirmojnë praninë e Epstein në premierë. Megjithatë, në dosje përfshihet një email i dërguar nga vetë Epstein pas eventit, ku ai shkruante: “Faleminderit! Premiera ishte argëtuese!!!”.
Pas shfaqjes, Brad Pitt u pa duke biseduar me figura të njohura të Hollivudit, përfshirë Jimmy Fallon, Bruce Willis, Emma Heming, Katie Couric dhe Kevin Bacon. Dokumentet nuk specifikojnë nëse Epstein ishte mes të pranishmëve apo nëse pati ndonjë kontakt me aktorin.

Dosje të tjera të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë sugjerojnë se Jeffrey Epstein merrte përditësime të rregullta mbi jetën personale të Brad Pitt. Dokumentet janë pjesë e një arkive prej rreth tre milionë faqesh të bëra publike pas një shqyrtimi të gjerë nga autoritetet amerikane.
Sipas tyre, Richard Kahn, bashkëpunëtor i afërt biznesi i Epstein, i dërgonte atij email-e me informacione dhe thashetheme mbi jetën shoqërore dhe sentimentale të aktorit. Një email i vitit 2018, me titull “Brad Pitt kalon kohë me yllin e rokut, profesoren e MIT”, i referohej një artikulli të Page Six për marrëdhënien profesionale të Pitt me arkitekten dhe profesoreshën e MIT, Neri Oxman.

Në një tjetër email, Kahn e përshkruante Pitt si “beqarin më të kërkuar të Hollivudit” pas ndarjes nga Angelina Jolie dhe e paraqiste Oxman si “gruan e re” të aktorit, duke përdorur gjuhë më eksplicite. Mesazhi përmendte edhe të ashtuquajturin “fenomeni Amal”, duke iu referuar prirjes së figurave të famshme të Hollivudit për t’u lidhur me gra me profil të lartë akademik dhe profesional.
Dokumentet theksojnë gjithashtu lidhjet e ngushta të Epstein me MIT dhe Neri Oxman. Para vdekjes së tij në gusht 2019, Epstein kishte financuar një laborator në MIT me rreth 800 mijë dollarë, fakt që më vonë shkaktoi reagime të forta dhe polemika në opinionin publik.





