Mban emrin e një gjuhëtari të madh, por infrastruktura e saj është e degraduar tërësisht.

Për banorët e zonës dhe drejtuesit e automjeteve, rruga “Eqerem Çabej” në lagjen nr.13 në Durrës është shqetësimi primar.

“Po të vini në ditë me shi, prindërit tanë dhe fëmijët që do të shkojnë në shkollë e kanë thuajse të pamundur të ecin në rrugë, sepse uji shkon deri në gju. Gjendja është e mjerueshme, shteti bashkia nuk mendojnë për urbanizimin”,– thotë një banore.

Jemi në vitin 2024, por një kërkesë bazike siç është garantimi i një infrastrukture rrugore brenda parametrave të kërkuar mbetet për qytetarët e Durrësit një premtim i papërmbushur.

“Mbaruan votat, kur kishin për të marrë votat të gjithë na u afruan. tani u larguan të gjithë. Na premtuan rrugën, kanalizimet, ndërkohë që na vijnë fëmijët të lagur megjithëse u veshim çizmet. Eshtë turp ku jetojmë”.

“Nuk kanë ardhur as me na pa se ku jetojmë”.

“Jo je socialist, jo je demokrat. Nuk ka rrugë për socialist e demokrat. rruga është rrugë. Për ty, për mua…”,- ishin disa nga deklaratat e banorëve të zonës për “DurrësLajm”.

Nuk mungojnë rastet, kur banorët e kanë mbushur rrugën vetë me çakull, për të eleminuar përkohësisht gropat e stërmëdha, të krijuara prej vitesh përgjatë gjithë gjatësisë së saj.

‘Kemi futur nga 80 mijë lekë të gjitha familjet për ta shtruar vetë me çakull. Por nuk është zgjidhje, sepse nuk ka kanalizime”,– thotë një banor.

Megjithëse e kanë vënë shpeshherë në dijeni pushtetin vendor për gjendjen e degraduar të rrugës, përgjigja institucionale ka munguar.

Apeli i tyre i drejtpërdrejtë ndaj bashkisë Durrës është ndërhyrja urgjente për shtrimin e këtij aksi.

“Ta asfaltojnë dhe të bëjnë edhe kanalizimet, sepse as uji nuk kullon këtu”,- deklaron një drejtues mjeti.

Në buxhetin e këtij viti, bashkia Durrës ka akorduar shumën 50 milionë lekë për infrastrukturën rrugore, por pa specifikuar akset ku do të ndërhyhet për rikonstruksionin e tyre.

M.B.