Prej disa ditësh, mungesa e metadonit në Durrës ka bërë që qindra përdorues t’i rikthehen konsumimit të heroinës.
Situata është kritike për këtë kategori, pasi mungesën e metadonit që e merrnin falas do e zëvendësojnë me drogat e forta, për të cilat u nevojiten sasi e konsiderueshme parash.
Përdorues të heroinës prej gati dy dekadash pohojnë sot se u janë rikthyer “zakoneve” të vjetra, si vjedhja, për të cilat kanë përfunduar edhe në burg në të kaluarën.
Në qendrën e shpërndarjes së metadonit në Durrës, bëhet me dije jashtë kamerave se nuk kanë patur furnizim me këtë medikament.
Sipas konsumatorëve të lëndëve narkotike, mungesa e medikamentit është e qëllimshme, në mënyrë që metadoni të shitet nën dorë me çmime të larta ose të favorizohet shpërndarja e drogës në qytet.
Ata paralajmërojnë vjedhjen e banesave dhe bizneseve në Durrës, për shkak se ndjehen të detyruar.
Durrësi dhe disa rrethe të tjera të vendit nuk janë furnizuar me metadon, pasi ky medikament nuk është shpërndarë nga Ministria e Shëndetësisë.