Kisha e Shën Domenikut në Durrës ka qenë e mbushur plot besimtarë gjatë meshës së të dielës, e cila përkon me nisjen e Javës së Madhe dhe të Shenjtë të pashkëve katolike.

Shërbimet fetare janë kryer nga at Bernard Caruana, Vikar i pёrgjithshёm nё Kishёn dioqezane Tiranё-Durrёs.

“Fjala e Zotit e kësaj së Diele të Larit apo të Luleve që hap Javën e Madhe dhe të Shenjtë të Pashkëve na fton të gjithëve e posaçërisht rinjtë t’u kundërvihemi me guxim dhunës e gënjeshtrës e të mos kënaqemi me atë që mendojnë apo që bëjnë të gjithë, por të kërkojmë Zotin, të ndjekim Jezu Krishtin, Mbretin e paqes e të drejtësisë, që pësoi mundimet për shpëtimin tonë.”,– tha ndër të tjera gjatë ritualeve fetare at Caurana.

Pashkët janë një nga festat më të rëndësishme të besimtarëve të krishterë. Gjatë meshave dhe ritualeve fetare që zhvillohen këto ditë, drejtuesit e kishës japin mesazhe të shumta pët tolerancën fetare, besimin, respektimin dhe mbështetjen për më të dobtit etj.

E hëna e madhe e Pashkëve, më 25 mars, është Dita e Parë e Javës së Madhe së Shenjtë të Pashkëve.

Nërkohë, të dielën e ardhshme, më 31 mars, besimtarët e krishterë kremtojnë të Dielën e Pashkëve të Ngjalljes së Jezu Krishtit.