Qyteti i Durrësit mbetet ende një nga 6 zonat e kuqe sa i përket mbetjes në fuqi të masave kufizuese me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, ku aktualisht kemi vetëm një rast pozitiv, i cili është i vetëkarantinuar në banesë.
Drejtoresha e Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Durrës, Aurora Hyka, në një intervistë për “DurrësLajm”, bën me dije se personi i infektuar është në gjendje të qëndrueshme shëndetësore në banesë, e për fat të mirë nga testimi i tamponëve, familjarët e tij kanë rezultuar negativë.
Rasti i vetëm pozitiv në Durrës – dyshime nga transmetimi komunitar
Teksa vazhdon hetimi epidemiologjik në terren në lidhje me gjurmimin e infektimit të këtij rasti, ende nuk dihet burimi se ku e ka marrë koronavirusin i moshuari që banon në zonën e Plazhit (lagjja nr.13). Ai ka pohuar se nuk ka pasur kontakte me persona të ardhur nga jashtë, apo persona që kanë rezultuar më herët të infektuar, teksa ka shpjeguar përpara grupit përgjegjës që merret me gjurmimin e rasteve, listën e personave që ka pasur kontakte ditët e fundit përpara se të testohej e të dilte pozitiv. I moshuari ka qenë një rast i referuar nga mjeku i familjes.
“Nga testimi që iu është bërë familjarëve, fatmirësisht kanë rezultuar negativë, ndërsa personi në fjalë ndiqet dy herë në ditë nga mjeku i familjes dhe një herë në ditë nga Sektori i Epidemiologjisë përmes telefonit. E njëjta praktikë pune është ndjekur për të gjitha rastet që kemi pasur në Durrës, që ishin në gjendje të qëndrueshme e të izoluar në banesat e tyre”, thotë Hyka.
Por si funksionon referimi i rasteve të dyshuara me Covid-19 dhe testimi i tyre? Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor Durrës është njësia kryesore ku merren mostrat dhe të gjitha rastet e dyshuara me koronavirus që banojnë në qytet, për të cilët Hyka shpjegon se ato raportohen përmes 3 mekanizmave kryesorë:
“Tri janë mekanizmat përmes të cilave referohen rastet e dyshuara: përmes thirrjeve që vijnë nga 127; rastet e dyshuara nga mjeku i familjes; si dhe ato që vijnë nga spitali rajonal.
Pasi bëhet evidentimi i rastit, nis procedura e marrjes së mostrës, del përgjigja e tamponit e menjëherë më pas njoftohet vetë personi, i cili duhet të izolohet menjëherë; fillon hetimi për familjarët e nga ana tjetër nis njëkohësisht gjurmimi i rastit”.
Pasi rezultojnë pozitivë, tamponi për personat pozitivë përsëritet 3 herë brenda 14 ditëve.
Njëkohësisht, Hyka thekson se nuk ka munguar shërbimi psikologjik për të gjithë rastet e infektuara, për t’iu gjendur sa më pranë personave në nevojë.
Të riatdhesuarit që vetëkarantinohen në hotelet e Durrësit
I njëjti shërbim iu ofrohet edhe të gjithë të riatdhesuarve që vetëkarantinohen në hotelet e Durrësit, ku në bazë të një protokolli të brendshëm për situatën shëndetësore, bëhet hetimi epidemiologjik duke vijuar dhe me monitorimin e gjendjes shëndetësore.
Me vendimin e fundit të shpallur nga qeveria, duke nisur nga data 11 maj të gjithë të riatdhesuarit do të vetëkarantiniohen në banesë, pavarësisht se ku janë rezidentë, zona të kuqe apo të gjelbërta.
Nga të dhënat që Drejtoria e Shëndetit Publik disponon, aktualisht ka shumë pak banorë të Durrësit, rreth 5-6 që janë vetëkarantinuar në hotele, ndërsa pjesa dërrmuese kanë qenë nga të gjitha zonat e Shqipërisë.
Durrësi – 5 viktima
Në Durrës ku u shënua dhe rasti i parë me vdekje nga koronavirusi në Shqipëri, deri më sot janë regjistruar 5 viktima, ndërsa të gjithë të infektuarit e tjerë janë shëruar. Nga rastet e prekura në qytet ka pasur edhe fëmijë të cilët i përkisnin një prej vatrave më problematike dhe aktive, Spitallës, ku u prek një rreth i gjerë familjar me rreth 11-12 veta.
Hapje graduale, por respektim i distancimit dhe masave të sigurisë
Fatmirësisht, të gjithë këta persona që ishin në gjendje të qëndrueshme shëndetësore u shëruan, ndërsa Durrësi ia doli që për gati tre javë të ishte me zero raste pozitive, çka tregon sipas Hykës, që qytetarët iu janë përgjigjur korrekt masave, por pavarësisht kësaj dhe hapjes graduale që do të vazhdojë, ka dhe një thirrje të fortë për të gjithë:
“Masat janë marrë në varësi të situatës sipas hallkave të njëpasnjëshme duke nisur që në fund të dhjetorit kur koronavirusi filloi të përhapej nga Kina, e më tej kur mori shtrirje të gjerë në Itali, duke u forcuar hap pas hapi.
Ditët e para respektimi i masave kufizuese ka qenë masiv nga ana e qytetarëve, jo vetëm të Durrësit, por mund të them ka qenë një situatë për t’u vlerësuar në të gjithë Shqipërinë. Bashkëpunimi me qytetarët ka qenë shumë i mirë, për t’u përgëzuar.
Ne do të rikthehemi në normalitet ngadalë dhe do të shkojmë drejt hapjes graduale, por theksoj se bashkëpunimi me të gjithë qytetarët duhet të vazhdojë. Ne do të vazhdojmë monitorimin dhe punën në terren, e cila deri më sot ka qenë shumë dinamike. Por nga ana tjetër është shumë e rëndësishme që qytetarët duhet të vazhdojnë të respektojnë distancimin dhe të gjitha masat e sigurisë sipas protokolleve të mirëpërcaktuara”.
Nga Stela Likmeta





