Ndonëse fillim tetori, kudo nëpër qytet sheh turistë.
Ata vijnë kryesisht në grupe të organizuara dhe jo pa arsye e zgjedhin Durrësin në këtë periudhë të vitit.
“Tani është më qetë. Korriku dhe gushti janë muaj të nxehtë dhe menduam të vinim tani, sepse koha është më e këndshme. Ju keni një klimë të mrekullueshme.”
“Me aq sa kam parë deri tani është padyshim ndryshe, sepse mbi të gjitha në Poloni kemi klimë krejt tjetër. Edhe qyteti këtu nuk është aq i rrëmujshëm sa mund të jetë në muajt e fluksit. Gjjthçka ecën më ngadalë.“
“Tani jemi më të lirë, se gjatë verës kujdesemi për nipërit. Edhe trafiku nuk është aq i ngarkuar. Erdha me frikë, por këtu qenka mirë për të drejtuar makinën.” – thonë disa nga turistët për “DurrësLajm”.
Dikush pozitiv e dikush negativ, ata kthehen në vendet e tyre me një miks përshtypjesh për Durrësin.
“Nuk kishim dëgjuar shumë për Shqipërinë, por nga agjensia turistike na u reklamua si një vend me çmime të mira, me ujë të kristaltë. Fatkeqësisht nuk doli kështu. Për momentin nuk do t’ia rekomandoja askujt të vinte. Ne kemi probleme me gjuhën këtu, askush nuk flet gjermanisht dhe ne nuk mund të flasim anglisht në mënyrë perfekte. Gjithashtu kemi takuar shumë njerëz jo miqësorë.”
“Unë jam nga Belgjika dhe po e vizitoj Shqipërinë për herë të parë. Kam disa miq shqiptarë në punë dhe ata më thanë që duhej të vija, sepse është këndshëm këtu. Prandaj erdha, po bëj një tur unik në Krujë, Shkodër, Durrës dhe Tiranë.”
“Vij nga Polonia dhe është hera ime e parë në Shqipëri. Është edhe mirë, edhe keq këtu. Na u reklamua më bukur, por nuk është edhe aq. Këndshëm gjithsesi”, u shprehën ata.
Sezoni turistik i verës 2023 konsiderohet si një ndër sezonet më të suksesshme, përsa i përket historikut të turizmit në territorin e Durrësit.
Turistë nga e gjithë bota vizituan dhe vijojnë të pushojnë buzë Adriatikut, duke shijuar gjithçka që ofron qyteti përgjatë gjithë vitit.