Në kryqëzime të rëndësishme të qytetit të Durrësit, këto ditët e fundit punonjësit e bashkisë kanë lyer vijat e bardha, të cilat ishin shuar fare e nuk kuptoheshin nëse ekzistonin apo jo.

Por me lyerjen e vijave të bardha, nuk përfundojnë këtu problematikat e shumta që kanë rrugët në vendin tonë.

Pranë Mauzoleumit të Dëshmorëve, në kryqëzimin e vendit të njohur si “Lulishtja”, ndodhet një pusetë e hapur, e cila përbën rrezik për këmbësorët që mund të bien në të.

Sipas një qytetari nga Durrësi që ka dërguar këto foto pranë redaksisë së “DurrësLajm”, pikërisht në këtë vend, dy ditë më parë një fëmijë i vogël ra dhe theu krahun. Ai shpreh shqetësimin e tij si banor i këtij qyteti që organet kompetente të marrin masa e t’i rregullojnë ato.

Të bën përshtypje fakti që u punua kaq pranë kësaj pusete të hapur dhe askush nuk e merr përsipër që t’i vendosë një kapak.

Por kjo nuk është e vetmja pusetë e hapur në Durrës, të tilla sheh në çdo cep të qytetit, rrugët e të cilit kanë mbetur gunga-gunga që pas përfundimit të shtrimit të rrjetit të ri elektrik.