• ATV-të, kuadroçikletat e zhvilluara nga kompania amerikane e makinave luftarake “Oshkosh”, që ushtria amerikane i reklamon si “shumë të avancuara / të teknologjisë së lartë”, janë të destinuara për të kaluar nëpër terrene të vështira

Nga fantashkenca dhe filmat aksion të Hollivudit, tani në realitet: në Shqipëri, nëpërmjet portit të Durrësit, priten të vijne edhe 1 300 makina-motoçikleta me katër rrota (njihen dhe si ”kuadroçikleta”), që nuk pyesin për mina dhe hipin dhe zbresin në vende ku kalojnë vetëm dhitë.

Një batalion i ushtrisë amerikane ka filluar ngarkimin e më shumë se 1 300 makinave që kalojnë në të gjitha terrenet dhe të pajisura me mbrojtje kundër minave (Mine Resistant Ambush Protected All Terrain Vehicles [M-ATV]) nga një depo në Itali, shumë prej të cilave janë si rezerva për nënrepartet e policisë ushtarake të Gardës Kombëtare në të gjithë territorin amerikan, njoftoi ushtria, e cituar nga portali “The Defense Post”.

“Ne filluam të dërgojmë M-ATV në prill 2021 për këtë mision të veçantë (stërvitja “Defender Europe 21”). “Ocean Giant” (anije mallrash) ishte dërgesa e dytë më 19 maj 2021 që mbante mbi 240 M-ATV, dhe ne po bëjmë një dërgesë të tretë me USNS “Bob Hope” duke filluar brenda dy ditësh”, – tha komandanti i brigadës së mbështetjes së fushore të ushtrisë, nënkolonel Miguel Floresrivera.

“Duke lundruar nga Durrësi, anija me ngarkesën e automjeteve amerikane “Bob Hope” duhet të ndalet në Livorno, duke transportuar pajisje të përdorura nga forcat amerikane gjatë stërvitjes “Defender-Europe 21”, bëri të ditur oficeri për çështjet publike të Brigadës së transportit Xhefri (Jeffrey) Jurgensen.

“Bob Hope” pritet gjithashtu të marrë qindra M-ATV në Livorno gjatë rrugës.

Në vitin 2016, më shumë se 3 000 automjete të pajisura me mbrojtje kundër minave mbërritën në depon e ushtrisë në Livorno, vend “ideal” në mbështetje të ushtrisë amerikane dhe operacioneve të NATO-s, gjithashtu me cilësinë e “platformës së projeksionit të energjisë”.

Mine-Resistant Ambush Protected (MRAP) – makina që kalojnë në të gjitha terrenet dhe të pajisura me mbrojtje kundërminë – është term për automjetet e lehta taktike të projektuara për t’u bërë ballë pajisjeve shpërthyese të improvizuara / artizanale (IED – inicialet për: improvised explosive devices). Programi MRAP u iniciua nga Pentagoni në 2007 si përgjigje ndaj kërcënimit në rritje të IED-ve gjatë luftës në Irak. 

Th.M.