Tre raste dhune në familje janë regjistruar 24 orët e fundit në Durrës dhe secili rast ka specifikën e tij, që e bën të veçantë dhe është dëshmi e qartë e problematikave të theksuara që po kalojnë familjet durrsake.

Dy gra dhe një burrë i janë drejtuar policisë për ndihmë, pasi kanë denoncuar dhunën e ushtruar ndaj tyre nga bashkëshortët/et apo edhe ish-ët e tyre.

Rasti me problematikën më të theksuar duket ai i denoncuar nga një 40-vjeçare, e cila ka kërkuar urdhër mbrojtje ndaj ish-bashkëshortit dhe gruas së tij.

“U plotësua kërkesë-padia për lëshimin e urdhërit të mbrojtjes së menjëhershme për shtetasen N.H, vjeç 40, pasi dyshohet se, ish bashkëshorti shtetasi Z.T, vjeç 64, si dhe gruaja e ish bashkëshortit shtetasja P.Ç, vjeç 51, kanë ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj saj” bën të ditur policia e Durrësit në njoftimin e saj. Mesa duket 40-vjeçarja është dhunuar jo vetëm nga ish-i i saj, por dhe nga gruaja e këtij të fundit.

Por kjo nuk është e vetmja 40-vjeçare e dhunuar. Si për ironi të fatit, të tre të dhunuarit si pasojë e dhunës familjare janë 40 vjeç.

Kështu një tjetër 40-vjeçare nga Durrësi denoncon dhunën e ushtruar nga bashkëshorti i saj, shumë më i ri në moshë. Shtetasja R.Xh, vjeç 40, ka denoncuar se është dhunuar nga bashkëshorti shtetasi M.Xh, vjeç 29, me të cilin ka jo pak por 11 vite diferencë. Edhe në këtë rast, policia e Durrësit i është drejtuar me kërkesë gjykatës për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes.

Por jo vetëm gratë janë dhunuar nga bashkëshortët në qytetin e Durrësit. Këtë herë është një 40-vjeçar, shtetasi L.V., i cili ka denoncuar bashkëshorten dhunuese, shtetasen I.V, vjeç 31.

Secili prej dhunuesve akuzohet për veprën penale “Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, ndërkohë që tre 40-vjeçarët e dhunuar pritet të pajisen me urdhër mbrojtje.