DURRES, 31 maj 2013 – Durrsakët po shijojnë ditët e fundit të pushimeve, pasi duke nisur që nga dita e hënë, do të fillojë “malorja” për ta.
Në një bisedë për “Panorama Sport”, mesfushori Bledar Hodo u shpreh se po pret me padurim për të nisur stërvitjen me skuadrën, ndërsa premton një sezon të suksesshëm.
“Po pres me padurim për të filluar nga puna për sezonin e ri, ku do ta nisim me ndeshjet e Europa Ligës. Kam besim se këtë sezon do të jemi më kërkues, si për rezultate, ashtu edhe për sa u përket trofeve. Ne do të synojmë që të paktën njërin prej tyre vitin e ardhshëm ta bëjmë tonin, ndonëse do luftojmë deri në fund për të dy. Gjithsesi, momentalisht jemi të përqendruar vetëm te dy ndeshjet e Europës, ku po presim të mësojmë emrin e kundërshtarit, me të cilin do të ndeshemi. Të jem realist, kam besim se do bëjmë një paraqitje të mirë këtë radhë në Europë, ku shpresojmë se do ta kalojmë një tur. Edhe fakti që drejtuesit po përpiqen të sjellin elemente cilësore për këto dy ndeshje, na bën optimist. Teuta ka një skuadër me emra dhe me lojtarë me eksperiencë, të cilët kanë luajtur vazhdimisht në kompeticionet europiane, ndaj kemi besim se ky fakt do të na ndihmonte jashtë mase për t’ia dalë mbanë”.
/l.m. Panorama/





